Marko Jakshiq

Jakshiq: Vuçiqi s’lejon organizime të serbëve jashtë Listës Serbe

Komisioni organizativ i Këshillit Kombëtar Serb thotë se nuk u është dhënë leje për të mbajtur një mbledhje në asnjë objekt në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë nga Lista Serbe, raportoi e përditshmja opozitare serbe “Danas”.

“Më 29 gusht, komisioni organizativ i SNV ka dërguar kërkesa për shfrytëzim të ndërtesave për një mbledhje të serbëve në Kosovë në shtëpitë e kulturës në Graqanicë, Zubin Potok, Leposaviq, Shillovë, Shtërpcë, Ranillugë, si dhe në Shkollën Teknike në Mitrovicë të Veriut. Ani pse propozuam gjashtë data për mbajtjen e asamblesë, nuk e gjetën mundësinë të na përgjigjen pozitivisht në kërkesën tonë. Pse? Vetëm Shtëpia e Kulturës në Zubin Potok u përgjigj duke thënë se nuk kanë mundësi të japin ndërtesën, por pa dhënë shpjegime. Shtëpia e Kulturës në Graqanicë refuzoi të jep në shfrytëzim sallën e tyre për të dytën herë”, ka shkruar SNV.

Marko Jakshiq nga një organizatë serbe në Kosovë thotë për “Danas” se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq “ka ndaluar” çfarëdo organizimi politik të serbëve në Kosovë “që nuk është me Listën Serbe”.