Jahiut i caktohet 30 ditë paraburgim, e dyshuara e dytë në liri

Sekretarit Shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jahi Jahiu, prej sot ka filluar paraburgimin 30 ditor.

Prokuroria për Krim të Organizuar kërkoi masë më të rreptë për shkak të frikës nga arratisja dhe mundësia për ta përsëritur veprën, prandaj që mbrëmë vonë gjykata i shqiptoi një masë të tillë kujdesi.

Ndërkaq kolegia e tij e dyshuar për të njëjtin rast Jasmina Geleska nga Shkupi e cila ka qenë udhëheqës i sektorit ende është në liri. Por Prokuroria për të u deklarua se qëndron jashtë shtetit.

“I dyshuari i dytë për momentin ndodhet jashtë territorit të Maqedonisë”, thonë nga PPTH.

Jahiu u arrestua një ditë më parë.

Pas dy muajsh hetim të autoriteteve tona hetuese dhe atyre ndërkombëtare, ekziston dyshimi se Jahiu dhe një koleg nga ministria kanë marrë ryshfet.

Përkatësisht, kanë mundësuar që një kompani nga Italia të marrë pozitë më të mirë në procedurën e tenderit dhe për të marrë mbi një milion euro para evropiane për zbatimin e një projekti për trajnimin e administratës, të financuar nga BE-ja përmes fondeve IPA.

Lënda ka përmasa ndërkombëtare. Përveç bastisjeve në Maqedoninë së Veriut bastisje janë bërë edhe në Republikën e Italisë, edhe atë tek 8 persona juridik.