Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, në një bisedë për Albanian Post ka thënë se nuk ka asnjë informacion se kush deshi t’ia vras vëllain e tij Markun, anëtar i partisë “Për liri të drejtësisë dhe mbijetesë” ndaj të cilit sipas policisë kishte një tentim vrasje më 5 maj në komunën e Leposaviqit.
“Unë kam qenë në Paris nga 1 maji deri më sot. Nuk e di, nuk kam detaje. Unë nuk kam folur me të për një kohë të gjatë, dhe ai (Marko) është i prirur të gënjejë shumë”, tha Jabllanoviç.
Sipas organeve të rendit, Marko deri sa ishte duke hyrë në një lokal kishte vërejtur afër tij një person të maskuar me një armë në dorë të cilën ia kishte drejtuar viktimës, por nuk kishte arritur të gjuante.
“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhej në raport.
Ndërkaq zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviç, nëpërmjet një postimi në “Facebook” gjatë javës së kaluar ka thënë se në rast është i përfshirë edhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, përgjegjës për organizimin dhe kryerjen e sulmit të armatosur në Banjë të Zveçanit.
“Ngjarja tragjike s’ka ndodhur ngase sulmuesit i kishte dështuar arma e tipit ‘Scorpion’. Nuk ka dyshim se pas atentatit qëndron regjimi i Beogradit dhe Radoiçiçi e kaubojët vendas – Sllavko Simiç e Zoran Todiç… Dihet gjerësisht se unë e Marko e mbështetëm Aleksandar Jabllanoviçin për t’i sjellë ndryshimet e nevojshme në Leposaviq”, ka shkruar zëvendësministri në Facebook.
“Në takimin e fundit me Jabllanoviçin na paralajmëruan se jemi në rrezik sepse punojmë kundër interesave të regjimit… U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i kundërvihen kaubojve vendas dhe të mos kenë frikë nga kërcënimet dhe shantazhet”, ka shtuar ndër të tjera Radomiroviq.
Edhe në të kaluarën, në këtë pjesë të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, ka pasur incidente të ngjashme.
Përkundër se situata në pjesën veriore është më e qetë pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar, ende perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.







