Ja si ETC-ja po i mashtron konsumatorët për origjinën e produkteve (FOTO)

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksë 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte vendosur një udhëzim për vendosjen e flamujve të origjinës afër produkteve të ekspozuara për shitje.

Ky udhëzim, kishte për qëllim informimin e konsumatorëve për prejardhjen e produkteve.

Por në anën tjetër, disa nga bizneset që operojnë në Kosovë kanë vendosur mos t’i përfillin rregullat e reja.

Ballkani.info kishte raportuar edhe më herët për mashtrimet që po iu bëhen konsumatorëve kosovarë nëpër markete, ku produktet e Serbisë ekspozoheshin si vendore apo me ndonjë flamur të ndonjë shteti tjetër.

Mos respektimi i udhëzimit nga MTI-ja, pasonte me gjoba nga Inspektorati i Tregut që mund të shkonin deri në 20.000 euro.

Por gjobat si duket nuk i kanë parandaluar mashtrimet nga marketet e ndryshme.

Në fotografitë e dërguara nga një lexues i Ballkani.info, shihen pijet si ‘Cocacola’, ‘Fanta’ dhe ‘Sprite’, të ekspozuara me flamuj belg dhe britanik.

Ekspozimi i pijeve me flamuj të vendeve të huaja, është bërë në marketin ETC në Vushtrri. /Ballkani.info