Ja ç’ndodh me lëkurën tuaj kur lini duhanin dhe pas sa kohësh do shihni “rezultate”

Pirja e duhanit mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore si kanceri dhe sëmundjet e zemrës. Por gjithashtu mund të ndikojë në pamjen tuaj – përfshirë lëkurën.

Duhani bën që enët e gjakur të ngushtohen, duke zvogëluar qarkullimin e oksigjenit dhe lëndëve ushqyese në lëkurë. Njerëzit që pinë duhan kanë më pak fibra kolagjeni dhe elastine, proteina kyçe për shëndetin dhe qëndrueshmërinë e lëkurës.

Ndërkohë, tymi i duhanit është i lidhur me pigmentimin që mund të bëjë që çehrja juaj të duket më e zbehtë apo edhe me njolla.

Plus, pirja e duhanit mund të shkaktojë rrudha të parakohshme dhe të përkeqësojë gjendjet e lëkurës si psoriasis ose ekzema.

Atëherë, çfarë ndodh me lëkurën tuaj kur e lini duhanin?

Nga lënia e duhanit do përfitonin thuajse gjithë organet në trupin tuaj, por për momentin do flasim për lëkurën.

#1 – Përmirësohet tekstura e lëkurës dhe pigmentimi

Sipas një studimi të vitit 2012, lënia e duhanit mund të zvogëlojë njollat e moshës, skuqjen dhe probleme të caktuara me prigmentimin.

#2 – Reduktohen shenjat e plakjes

Një studim i vogël i vitit 2010 arriti në përfundimin se lënia e duhanit çoi në një reduktim prej 13 vitesh në “moshën biologjike” të pjesëmarrësve. Studiuesit e bazuan këtë numër në faktorë si shkëlqimi, elasticiteti dhe ngjyra e lëkurës.

Megjithatë, nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar plotësisht se si lënia e duhanit ndikon në rrudhat ekzistuese.

#3 – Ndikohet prodhimi i kolagjenit

Pirja e duhanit dëmton prodhimin e kolagjenit, por ky proces mund të rikthehet pas lënies së duhanit.

Në një studim të vogël të vitit 2019, studiuesit zbuluan se lënia e duhanit çoi në riaktivizimin e prodhimit të kolagjenit në trup.

Pas sa kohësh nga lënia e duhanit, shihen rezultate?

Shenjat e njollave të moshës dhe hiperpigmentimit mund të ulen brenda një muaji pas ndalimit të duhanit. Ndryshime të tjera fillojnë të bëhen të dukshme rreth 4-12 javë pas lënies së duhanit.

Këshilla të tjera për t’i rikthyer shkëlqimin lëkurës:

– Mbajtja e një diete të ekuilibruar

– Stërvitja

– Gjumi i mirë

– Kremi kundër diellit

– Mbajtja e një rutine të rregullt të kujdesit të lëkurës

– Kryerja e trajtimeve të përshatshme për problematikat specifike të lëkurës.