Qeveria izraelite miratoi rekomandimet e ushtrisë për të lehtësuar kufizimet e brendshme, në atë që Ministri i Mbrojtjes Israel Katz e përshkroi si një “mesazh fitoreje” mbi Iranin.
Pas një takimi me përfaqësues të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) dhe Komandës së Mbrojtjes Civile (HFC), Katz njoftoi se masat do të fillonin të hiqen duke filluar nga kjo mbrëmje, transmeton Ballkani.info.
“Me rritjen e operacioneve ushtarake kundër Iranit për të hequr kërcënimet, ne do të rihapim ekonominë, do të heqim gradualisht kufizimet mbi popullsinë dhe do ta kthejmë Izraelin në rrugën e funksionimit dhe sigurisë normale”, tha Katz. Ai shtoi se vendimi për të rihapur ekonominë “është një mesazh fitoreje mbi armikun iranian”.
“Ata vijnë për të shkaktuar dëme dhe për të ndaluar jetën, ndërsa ne i sulmojmë, mbrojmë popullsinë tonë dhe në të njëjtën kohë fillojmë të rihapim gradualisht ekonominë dhe zonat e prekura, të gjitha në përputhje me vlerësimet e sigurisë”, tha ai.
Vendimi i Katz vjen pasi Irani gjuajti rreth 30 raketa në Izrael të hënën mbrëma. Këto sulme të vogla kanë bërë që disa analistë ushtarakë të arrijnë në përfundimin se sulmet izraelite në vendet e lëshimit të raketave iraniane dhe objektet e magazinimit kanë dobësuar aftësinë e Iranit për të kryer një kundërsulm më serioz.
Instituti për Studimin e Luftës, një institut amerikan me bazë në Uashington, tha dje se Izraeli “ka të ngjarë të ketë reduktuar aftësitë e raketave balistike të Iranit”. /Ballkani.info/







