Lajmi I fundit

Izraeli dhe Hamasi bien dakord të pauzojnë luftën për lirimin e 50 pengjeve

Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për një pauze katër-ditore në luftime, pasi janë marrë vesh për lirimin e 50 pengjeve që mbahen në Gaza, raporton BBC.

Nuk dihet ende se kur do të zbatohet marrëveshja, por nëse do të jetë e suksesshme, do të jetë ndërprerja e parë në luftime që nga 7 tetori.

Hamasi thotë se marrëveshja do të lejojë gjithashtu qindra kamionë me ndihma humanitare, furnizime mjekësore dhe karburant në Gaza. Grupi shton se 150 gra dhe adoleshentë palestinezë do të lirohen nga burgjet izraelite sipas marrëveshjes.

Qeveria e Izraelit këmbëngul se ky nuk është fundi i luftës, duke përsëritur angazhimin e saj për të “përfunduar eliminimin e Hamasit”.

Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, deklaroi se marrëveshja do t’i japë fund një “prove të papërshkrueshme” për disa pengje dhe “zbusë vuajtjet e familjeve të pafajshme palestineze”.

Izraeli filloi të sulmojë Gazën pasi luftëtarët e Hamasit kaluan kufirin më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë peng më shumë se 200 të tjerë.

Ministria e shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 14 mijë njerëz – duke përfshirë më shumë se 5 mijë fëmijë – janë vrarë në fushatën e Izraelit.