Kabineti i presidentit maqedonas, pas publikimit në opinion të Vendimit të Gjykatës Themelore Shkupi 1 për caktimin e masës së paraburgimit kundër Mile Janakieskit, kategorikisht refuzon çfarëdo involvimi në…

Kabineti i presidentit maqedonas, pas publikimit në opinion të Vendimit të Gjykatës Themelore Shkupi 1 për caktimin e masës së paraburgimit kundër Mile Janakieskit, kategorikisht refuzon çfarëdo involvimi në lidhje me vendimin gjyqësor.

“E informojmë opinionin se as nuk është kërkuar, as mbajtur takim me ndërmjetësues të Mile Janakieskit, siç është shkruar në vërejtjen zyrtare të DSK-së, e klasifikuar ”me besueshmëri të lartë”, e që është bazë për caktimin e masës së paraburgimit. Mile Janakieski në telefon kërkoi takim me presidentin Ivanov, i cili është mbajtur më 13.11.2018, e martë, në orën 16:00 në Kabinetin e presidentit të Republikës së Maqedonisë. Në takim, megjithatë nuk ishin diskutuar temat e amnistisë, në të cilën i bëhet thirrje gjykatës në vendimin për paraburgim, e cila është në kompetencë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, as tema e abolimit”, thuhet në kumtesën e Kabinetit të presidentit Ivanov.

Konsiderojmë, potencojnë nga Kabineti i Ivanov, se bëhet fjalë për konstruksion të gënjeshtrave në bazë të supozimeve me qëllim që të involvohet presidenti i Republikës së Maqedonisë, që shihet nga arsyetimi i shpallur publik i vendimit të Gjykatës.

“Tërë kjo paraqet manipulim të vrazhdë policor dhe involvim të nëpunësve policorë, me çka janë kryer vepra penale keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, falsifikim i dokumentacionit, përdorim i dokumentacionit me përmbajtje të pavërteta. Mbetet e paqartë, në bazë të çkaje ndiqen aktivitetet e presidentit Ivanov dhe Kabinetit të tij nga ana e DSK-së”?, thuhet në kumtesë.

Nga Kabineti i Ivanovit presin përgjigje urgjente nga ministri i Punëve të Brendshme, nga drejtori i DSK-së, nga kryetari i Gjykatës Themelore Shkupi 1 ndaj vërejtjeve të Kabinetit të presidentit të Republikës së Maqedonisë të cilat iu dërguan sot.

“E dukshme është se vazhdon praktika e konstruksioneve dhe gjenerimit të krizave në shoqërinë e Maqedonisë nga sjellja e papërgjegjshme e pjesëtarëve të DSK-së, diçka që presidenti Ivanov e ka potencuar në fjalimin vjetor drejtuar deputetëve në vitin 2017. Presidenti Ivanov, sikur edhe deri tani do të veprojë vetëm sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe kompetencave të tij dhe para kurrfarë presioni dhe kërcënimi nuk do të heqë dorë nga kjo”, thuhet në kumtesën e Kabinetit të Ivanovit.