Italia merr rolin e uljes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, dy ministrat e saj vizitojnë sot Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani si dhe ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto do të vijnë sot për vizitë në Kosovë.

Lajmi është konfirmuar nga ambasada italiane në Kosovë, e cila njofton se po punojnë për të lehtësuar “tensionet mes dy vendeve, edhe falë pranisë së kontingjentit ushtarak”.

Ministri Tajani në një postim në Twitter  ka shkruar se Italia dëshiron të jetë protagoniste e paqes në Ballkanin Perëndimor, ndërsa njofton se dy ministrat do ta vizitojnë edhe Beogradin.

“…Po punojmë për të ulur tensionin mes dy vendeve, edhe falë pranisë së kontingjentit tonë ushtarak. Italia gjithashtu dëshiron të jetë protagoniste e paqes në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ai.