Posta e Kosovës

Istogu në pulla postare të Kosovës

Posta e Kosovës nga sot ka vënë në qarkullim emisionin e pullës postare “Qytetet e Kosovës – Istogu”.

Qyteti Istog është i njohur edhe me emërtimin Burimi. Ndodhet në regjionin e Pejës, në veriperëndim të Kosovës. Është një qytet që ka ruajtur dhe synon të ruajë trashëgiminë e tij multikulturore.

Komuna e Istogut ka 46 zona kadastrale me një sipërfaqe prej 453.84 km², me 51 fshatra dhe me dy qendra ndërurbane: Gurrakocin dhe Banjën.

Ka një histori të lashtë, me gjurmë të qytetërimeve të hershme dhe objekteve arkeologjike. Është i njohur për trashëgiminë kulturore dhe historike, ku bëjnë pjesë edhe aktivitetet tradicionale, festivalet kulturore dhe manifestimet tjera dedikuar ruajtjes së trashëgimisë.