Ismaili: Së shpejti farmacistët nuk do të mund të lëvizin çmimet e barnave

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se së shpejti, të gjitha ilaçet do të kenë çmimet e njejta në të gjithë Kosovën.

Ismaili ka thënë se po finalizohet Udhëzimi Administrativ për rregullimin e çmimeve të barnave, pas shumë ankesave të qytetarëve për çmime të larta të barnave dhe ilaçeve, përcjell Ballkani.info.

“Gjithë këtë po e bëjmë që t’i mbrojmë qytetarët tanë nga shpenzimet dhe t’i ndihmojmë farmacistët që të orientohen vetëm në ofrimin e shërbimit profesional farmaceutik”, ka shkruar Ismaili. /Ballkani.info

Postimi i plotë:

Që nga fillimi i mandatit kam marrë shumë ankesa të qytetarëve se çmimet e barnave, të cilat ata po i blejnë, dallojnë nga barnatorja në barnatore, duke i vënë ata para detyrimit që të bëjnë shpenzime të larta.

Por, edhe kësaj padrejtësie që ka dëmtuar xhepin e qytetarëve për rreth dy dekada, po i japim fund.

Përmes iniciativës për finalizimin e Udhëzimit Administrativ për rregullimin e çmimeve të barnave, qytetarët tanë, kudo që jetojnë, në fshat ose në qytet, do të mundë ta blejnë ilaçin e tyre me çmim të njëjtë në të gjithë Kosovën.

Gjithë këtë po e bëjmë që t’i mbrojmë qytetarët tanë nga shpenzimet dhe t’i ndihmojmë farmacistët që të orientohen vetëm në ofrimin e shërbimit profesional farmaceutik.