Ismaili për Kurtin: Thuajse Kosova është në shërbim të tij, e jo kryeministri në shërbim të vendit

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka thënë se për dëshprimin që keni shkaktuar, mos harroni ta fajsoni PDK-në, pasi sipas tij, ky është arsyetimi më i lehtë.

“Në fund, për gjithë këtë klimë dëshpërimi që keni shkaktuar, mos harroni ta fajësoni PDK-në. Është arsyetimi juaj më i lehtë për paaftësinë tuaj dhe përçarjen që shkaktoni”, ka shkruar Ismaili në një postim në Facebook.

Ismaili thotë se nuk dihet se a është Kosova në shërbim të kryeministrit apo kryeministri në shërbim të vendit.

“E coronavirusi shpërndahet, shumohet, në heshtje, si armik i ftohtë. Rritet nga mungesa e vullnetit politik për t’i testuar ata që potencialisht mund të jenë prekur dhe ata që janë në karantinë. Rritet nga shpenzimi i energjisë politike në “Kurti gaboi. Kurti nuk gabon kurrë. Ai nuk nënshtrohet”, thuajse Kosova është në shërbim të tij, e jo Kryeministri në shërbim të vendit”, ka shkruar Isamili.

Pak orë më parë, PDK-ja përmes një konference për media ka konfirmuar se do e mbështesë mocionin e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë Kurti.