Deputeti i PDK-së

Ismaili: Nuk është e drejtë t’ua paguajmë rrymën qytetarëve të Veriut

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka kritikuar Qeverinë duke thënë se ministri i financave po ankohet se nuk ka para mjaftueshëm qe t’i paguajë bizneset në kohë pandemie, ndërsa vazhdon të paguhet energjia elektrike për serbët e Mitrovicës së veriut me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku raportoi ministrja e ekonomisë, Artane Rizvanolli, ai tha edhe se ajo që po i pengon është se Qeveria nuk po del me një zgjidhje kreative pos asaj që ajo rrymë duhet të paguhet.

“Jemi në një situatë ku duhet të paguajmë një faturë të shpenzimit të energjisë për disa qytetarë që nuk duan ta paguajnë. Është bërë një traditë që disa qytetarë po trajtohen në mënyrë jo të barabartë, se dikush duhet me i hjek të zijtë e ullirit dhe mezi e mbërrin muajin, e ata atje pa pare e kanë, e ne po ia paguajme”.

“Në kohë pandemie me ardh me të vetmen zgjidhje dhe me thënë që ‘krejt çka mund të bëjmë është që ta paguajmë, nuk është e drejtë. Askush nuk po e merrni në dorë pataten e nxehtë”

“Qeveritë fundit që kanë ardhur në pushtet, si ajo Mustafa, Haradinaj dhe tash edhe Kurti II, e kanë qasjen e njëjtë, që i bie se ‘po e paguajmë se kështu e kemi gjet’. Kemi ardhur në një situatë që gjithmonë paguajmë sepse s’kanë pike kreativiteti për të ardhur më një zgjidhje. Kjo nuk po më pëlqen, se nuk është e drejte të thuhet qe ‘po e paguajmë se kështu e kemi gjet”, deklaroi Ismaili.