Ismaili ia numëron sulmet e Kurtit ndaj profesor Mustafës: Argati i Serbisë, 72 dosjet, molotovi, vezët

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili e ka komentuar takimin e Isa Mustafës dhe Albin Kurtit.

“Albin Kurti paska takuar Isa Mustafën. A thua si ndihen votuesit e VV-së të cilët Albin Kurti i tradhton duke iu lutur Isa Mustafës për partneritet?! Mbështetësit e tij janë tronditur nga fakti se ai e paska quajtur Isa Mustafën “profesor” dhe i paska uruar punë të mbarë dhe shëndet. Sa qesharake dhe sa ironike”, ka shkruar Ismaili.

Ai tutje thotë se një kohë për të Isa Mustafa nuk ishte “profesor”, por shërbëtor i Rrahman Morinës, Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit. Ishte “argat i Serbisë që po e bosnjëzon Kosovën dhe Esat Pashë që po i falë territore Malit të Zi”. Dikur e akuzonte me 72 dosje për krim të organizuar, sot e lajkaton me ofertë për koalicion.

“Ai tani po e sheh si shpresë njeriun që e akuzonte se “po e zbrazë Kosovën duke e mbytur perspektivën”. Në ditët e tij të arta të huliganizmit nuk i uronte Isa Mustafës punë të mbarë, por rrëzim të mbrapshtë e të dhunshëm. Nuk i uronte shëndet e jetë të gjatë, por qeverisje të shkurtër dhe fund të mjerë duke ia rrezikuar shëndetin me gaz lotsjellës”, thekson tutje Ismaili, transmeton Ballkani.info.

Ismaili ia ka përmendur Kurtit edhe gjuajtjet me vezë ndaj Mustafës dhe sulmin me molotov në shtëpinë e tij familjare.

“E gjuante dhe e turpëronte me vezë në shtëpinë e demokracisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe e sulmonte me molotovë në shtëpinë e tij familjare. Albin Kurti e shet veten si të dinjitetshëm e me integritet, por nga frika që të shkojë i vetëm në zgjedhje ai po i përulet “Profesorit” deri në servilosje”, ka shkruar tutje Ismaili.

Sipas tij, për të prekur pushtetin ai është në gjendje të shndërrohet edhe në vegël të personit që e luftonte me metodat më të pamoralshme dhe më jodemokratike dhe me të cilin nuk e lidhë asnjë princip apo vlerë përpos frika nga PDK-ja dhe lakmia për privilegje.

“Megjithatë këto aleanca tepër joparimore vetëm se do ta rrisin mbështetjen qytetare për PDK-në. Rrugëtimi ynë drejt rikonfirmimit si forca më e madhe demokratike në vend është i pakthyeshëm. Ne mbesim rruga e vetme për luftimin e korrupsionit, nepotizmit dhe ndërtimit të një shteti që ofron ardhmëri të sigurt për të gjithë qytetarët e tij”, ka shkruar në fund Ismaili. /Ballkani.info/

loading…