Ismaili i ashpër me Hotin: Është i neveritshëm paralizimi i tij kur flitet për të pagjeturit

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për të pagjeturit, ka pasur disa kritika për Qeverinë e Kosovës.

Ismaili para deputetëve ka treguar historinë e një mikut të tij që e ka babanë të zhdukur në luftë.

“Një mik që e ka babain e zhdukur më tregoi për përvojën e tij. Ajo që nuk e  harroj kurrë që gjatë shpjegimit për gjendjen e tij ishte se ai tha se çdo numër telefoni që nuk e ka me emër, çdo telefonatë që i vjen nga emra të panjohur ia lëviz zemrën. Çdoherë kur zilja është në një orë të pazakonshme ngrihemi të gjithë sepse jetojmë me idenë që mund të kemi një informatë të re, kjo tregon për gjendjen e familjeve të të zhdukurve në Kosovë”, ka thënë deputeti i PDK-së.

Ai shton se kjo seancë do të duhej të ishte e mirëpritur edhe nga Qeveria për të cilën ka pasur kritika që nuk kanë qenë pjesë e diskutimit në Kuvend.

“Kjo duhet të jetë seancë e mirëpritur edhe nga Qeveria e jo seancë që trajtohet si politike. Qeveria dhe kryeministri do të duhej të ishin këtu. Më vie keq sot që veç Dritoni është këtu. Pikërisht për vetë faktin që kryeministri nuk gjendet këtu”, thotë ai.

Ismaili ka pyetur se ku është kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke thënë se Serbia do ta përdorë për rehabilitim çështjen e të mbetjeve mortore të të vrarëve në Kosovë që u gjendën në Serbi.

“E çuditshme është reagimi i kryeministrit, ku gjendet kryeministri, ku gjendet Kosova, ku gjenden ministrat? Gjendet varreza masive, çka tregon kjo, kuptoni që mund të përdoret nga Serbia për rehabilitimin e tyre, shikoni na jemi të mirë po i nxjerrim”, shton ai.

Sipas deputetit të PDK-së, ka një paralizim të Qeverisë kur flitet për këtë temë.

“Është neveritëse paralizimi heshtja e qeverisë dhe kryeministrit Avdullah Hoti dhe është neveritëse mungesa e tij, kam takim në ora 12:00, kërko që të shtyhet nuk jemi duke folur për një projekt për një rrugë, por për personin që duhet të jetë në tavolinë të diskutimit”, shtoi Ismaili.