Ismaili akuzon ministrin Vitia: Jo vetëm përgjegjës për vetëvrasjen por duhet hetuar edhe për katër mashtrime

Deputetja Besa Ismaili nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ka bërë një postim në facebook ku ripërsëritur thirrjen për dorëheqjen e ministrit të shkarkuar Arben Vitia dhe ia ka përmendur katër mashtrime të bëra prej tij gjatë kohës së detyrës.

Ajo e quajtur pafytyrësi deklaratën e ministrit në ikje të shëndetësisë sepse ai është drejtpërdrejtë në krye të zinxhirit komandues për karantinën dhe për rrjedhojë drejtpërdrejtë përgjegjës për ngarjen e vetëvrasjes së Agon Musliut. Ismaili shpjegon se “karantina është themeluar me vendim të ministrisë, mbikqyret prej saj dhe askush nuk del prej saj pa firmën e ministrit Vitia”.

Më tej Ismaili renditi në postimin e saj katër mashtrimet e Arben Vitisë së pari mashtrimi me të dhënat e përhapjes së pandemisë duke mos i raportuar shtetasit kosovarë me përkatësi etnike serbe që ishin infektuar apo që vdiqën prej koronavirusit. Së dyti ajo përmendi mashtrimin me mbërritjen e 7000 testeve në Kosovë të cilën vetë Vitia e demantoi më pas. Së treti përpjekjen bërë për të mbuluar vendimin e strukturave paralele serbe për dy komunat kosovare të veriut duke i shitur si vendime të qeverisë së Prishtinës. Rasti i katërt i përmendur prej deputetës Ismaili ishte rasti fatkeq i Agon Musliut ku ministri Vitia deklaroi në konferencë shtypi që nuk kanë pasur informacione për problemet shëndetësore të të riut, mirëpo dokumentat e korrespondencës që u publikuan në media dëshmuan të kundërtën.

Postimi i plotë i deputetetes së PDK-së Besa Ismaili gjendet më poshtë:

Deklarata e dhënë prej ministrit të shkarkuar e të diskredituar të shëndetësisë, Arben Vitia, se kinse e ka menduar dorëheqjen por nuk do ta japë sepse do të merret me zbardhjen e vetëvrasjes së Agon Musliut është një akt i ulët. Kjo deklaratë është një fyerje e madhe që i bëhet së pari kujtimit të viktimës, familjarëve të tij, por mbarë opinionit publik.

Duhet pafytyrësi shumë e madhe për të bërë këtë deklaratë, kur dihet se ministri në ikje i shëndetësisë është drejtpërdrejtë në krye të zinxhirit komandues për karantinën dhe për rrjedhojë përgjegjës. Karantina është themeluar me vendim të ministrisë, mbikqyret prej saj dhe askush nuk del prej saj pa firmën e ministrit Vitia. Pra ka qenë Vitia ai që ka pasur mundësi ta shpëtonte me firmën e tij të riun 26 vjeçar nga Gjilani.

Por për ministrin e shkarkuar që tashmë edhe Gjykata Kushtetuese e ka deklaruar si shkelës ligjor, mashtrimi është bërë traditë dhe nuk i bën më aspak përshtypje. Në pak javë në pozitën e ministrit, Vitia ka bërë së paku katër mashtrime të mëdha publike që janë demantuar .Mashtrimin e parë e bëri me raportimin e të dhënave të përhapjes së sëmundjes, duke u përpjekur që të minimizonte përmasat. Për një ministria e shkarkuar e Vitisë nuk raportoi të infektuarit dhe të vdekurit e Kosovës që janë të përkatësisë serbe. Këtë mashtrim e ndreqën vetëm para dy-tre javësh kur i përfshinë të dhënat e shtetasve kosovarë në raportimet zyrtare të Kosovës.

Mashtrimin e dytë e bëri në 28 mars kur deklaroi se kanë mbërritur 7000 teste në Kosovë, duke dashur që të ballafaqojë me këtë rrenë kritikat e mëdha që dha PDK-ja për numrin e vogël të testeve. Këtë mashtrim e pranoi vetë në studio televizive.

Mashtrimi tjetër u bë në fillim të prillit kur Vitia u përpoq që të mashtronte opinionin publik duke thënë se karantinimi i dy komunave të veriut të Kosovës u bë prej qeverisë e jo prej strukturave paralele serbe. Dokumentet që dolën e demaskuan këtë mashtrim të ulët sepse vendimi i strukturave të Beogradit u morr në 3 prill dhe vendimi i firmosur prej tij ishte në 9 prill.

Mashtrimi i katër publik ishte përpjekja e tij për të thënë se për rastin tragjik të Agon Musliut, nuk ka pasur informacione specifike për probleme shëndetësore. Dokumentet e nxjerra për korrespondencën e kryer me ambasadën kosovare në Gjermani si dhe me qendrën emergjente të Gjilanit dëshmuan qartë se institucionet kanë qenë në dijeni për problemet e Agonit por i kanë shpërfillur e neglizhuar me pasoja fatale për jetën e këtij djali.

Prandaj Vitia i Vetëvendosjes, jo vetëm që duhet të japi dorëheqje dhe të mbaj përgjegjësi ligjore për rastin tragjik të vetëvrasjes së Agon Musliut, por duhet edhe të përndiqet nga prokuroria për mashtrim të shumëfishtë.