Ishte sulmuar nga qentë endacak, gruaja padit komunën e Prishtinës dhe policinë

Me pretendimin se gjatë orarit të punës ishte sulmuar nga qentë endacak, paditësja Nekibe Maxhuni, në korrik të vitit 2014, kishte ushtruar padi ndaj Policisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, nga të cilët po kërkon kompensimin e dëmit në vlerë prej katërmijë euro.

Lidhur me këtë rast, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca përgatitore, raporton “ Betimi për Drejtësi”.

Shkak i dështimit të seancës ka qenë mungesa e përfaqësueses së Komunës së Prishtinë, për të cilën, gjykatësja e rastit Lendita Berisha, tha se e njëjta me parashtresë ka propozuar që seanca të shtyhet, me arsyetimin se në të njëjtin ditë dhe orë ka seancë tjetër në të njëjtën gjykatë.

Propozimi i përfaqësues së Komunës së Prishtinës, për shtyrjen e seancës nuk është kundërshtuar nga paditësja Maxhuni dhe as nga përfaqësuesja e Policisë së Kosovës, Nazmie Aliu.

Gjykatësja Berisha, seancën e radhës në këtë rast e ka caktuar të mbahet më 29 janar 2020, në orën 10:00.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 10 korrik 2014, paditësja Maxhuni po kërkon nga Policia e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, kompensimin e dëmit të pësuar si pasojë sulmit nga qentë endacak.

Në padi thuhet se paditësja më 21 korrik 2013, duke shkuar në vendin e saj të punës në Ministrinë e Shëndetësisë, ishte sulmuar nga qentë endacak në rrugën “Fehmi Agani”.

Në padi pretendohet se paditësja duke u përpjekur ta shmangë sulmin nga qentë endacak, kishte hyrë në objektin e parë, duke rënë nga shkallët e bodrumit të objektit.

Sipas padisë, si pasojë e sulmit nga qentë endacak dhe si pasojë e rënies nga shkallët e bodrumit të objektit, paditësja kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Prandaj, mbi këto rrethana, paditësja kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohet si e bazuar dhe të detyrohen të paditurat që në mënyrë solidare ta kompensojnë dëmin në vlerë prej katërmijë euro, për të cilën pretendon se i është shkaktuar si pasojë e lëndimeve të marra gjatë orarit të punës.