(Mos)konfirmimi

Ish zyrtari i MPB-së që dyshohet se u kap në Serbi me 18 kg drogë, është simpatizant i PDK-së dhe i afërt me Xhavit Halitin

Në mediat kosovare, sot është raportuar se është arrestuar një kosovar në Serbi, që sipas këtyre raportimeve, bëhej fjalë për një zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i quajtur Drilon Berbati.

Mirëpo, i njëjti më nuk është pjesë e kësaj ministrie.

Kjo se, në korrik të vitit 2023, Berbati ishte suspenduar nga pozita që mbante, pasi, ai u arrestua në Agjencinë për Regjistrim Civil (ARC), nën dyshimin e bazuar se ka keqpërdorë detyrën zyrtaren dhe një personi të kërkuar nga INTERPOL-i ia ka mundësuar dhënien e identitetit të rrejshëm, i cili më pas i është shmangur ndjekjes nga organet e rendit, shkruan Ballkani.info.

Prokuroria në ditën e arrestimit sqaroi se i lartcekuri dyshohet se më 15.10.2021, në Prishtinë, respektivisht në zyrat e Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale (letërnjoftim, patentë shoferë dhe pasaportë), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, me dashje dhe dijeni, i ka keqpërdorur autorizimet e tija ligjore, duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin për dokumentet personale, në atë mënyrë që, personit me inicialet M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve, i sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë, pranojë dhe vërtetojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N.

Vendimi  për suspendim është në fuqi ende dhe Berbatit nuk ka qenë më punëtor në MPB deri në një vendim të radhës nga Gjykata me dyshimin për keqpërdorim të pozitës sa ishte zyrtar në këtë institucion.

Madje, në atë periudhë, mediat kishin raportuar se Berbati rezulton të jetë edhe dhëndër i Blerim Camajt, që për shumë vite ka mbajtur pozita drejtuese në ARC.

E, Blerim Camaj është i afërt i njërit prej drejtuesve të PDK-së, respektivisht është nipi i Xhavit Halitit.

Berbati atëkohë në rrjetet sociale të tij, tregonte përkrahjen për PDK-në, saktësisht, Xhavit Halitin që konkurronte për deputet, shkruan Ballkani.info.

Për arrestimin e Berbatit, reagim ka pasur edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, të cilët kanë thënë se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk është informuar dhe s’ka arritur që ta konfirmojë zyrtarisht arrestimin e Drilon Berbatit

MPJ ka konfirmuar se përmes ambasadorit Jashari në Beograd kanë dërguar kërkesë nga Qeveria e Serbisë që të konfirmojnë arrestimin eventual dhe të ofrojnë sqarimet për arsyet e arrestimit dhe për vendin ku po mbahet. 

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk është informuar dhe as nuk ka arritur ende të konfirmojë zyrtarisht arrestimin sipas raportimeve, të cilave i referoheni. Si edhe në rastet e mëhershme, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd nëpërmjet Ambasadorit Jashari i ka dërguar shkresë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë përmes së cilës ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që ta konfirmojë arrestimin eventual, të ofrojë sqarime për arsyet e arrestimit dhe të bëjë të ditur vendin (qendrën e paraburgimit), ku është duke u mbajtur shtetasi i Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.