Ish-zyrtarja e OSBE-së, Sandra Mitchell, e cila kishte shërbyer në Kosovë gjatë viteve 1998-99, në ditën e tretë të dëshmisë së saj në Gjykatën Speciale është marrë në pyetje nga avokati Gregory Keohoe, që e mbron ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi i akuzuar për krime lufte.

Asaj i është lëshuar një deklaratë e Thaçit i cili gjatë vitit 1999 mbante pozitën e ish-kryeministrit të Qeverisë së përkohshme të Kosovës, e ku dëgjohet duke i bërë thirrje serbëve të mos largohen nga Kosova pasi ishin vrarë 14 serbë në fshatin Grackë të Graçanicës.

“Ky akt është kundër demokracisë, popullit të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Ky akt i konvenon vetëm Millosheviçit dhe regjimit të tij dhe askujt tjetër në Kosovë dhe botë. Ky akt i dhunës ndodhi në ditën e dytë kur përfundoi demitarlizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ftoj serbët që mos të largohen nga Kosova dhe mos të kenë frikë nga shqiptarët dhe të afrohen më njëri tjetrin si qytetar të barabartë”, thoshte Thaçi.

Keohoe, ka thënë se Thaçi vazhdimisht kishte bërë thirrje për kthimin e serbëve në Kosovë dhe integrimin e tyre, teksa ka prezantuar edhe videon e radhës ku ish-presidenti theksonte se “largimi i serbëve ka qenë dukuri shqetësuese për ne”.

“Ne jemi të interesuar që ta nderojmë një shoqëri për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne i ftojmë serbët që të kthehen në Kosovë, ta ndihmojnë paqen dhe demokracinë”, thoshte Thaçi në vitin 1999 gjatë një konference për media gjatë qëndrimit të tij në Britani të Madhe.

Sandra Mitchell

Avokati Keohe prezantoi edhe një video të 6 korrikut 1999, në të cilën Thaçi kishte dalë publikisht në emër të tij dhe Qeverisë, duke u distancuar nga dukuritë e këqija që po ndodhnin pas luftës në Kosovë.

“Pas përfundimit të luftës, në veçanti këto ditët e fundit kemi pas një dukuri jo të mirë, jo të ndershme, jo të përgjegjshme, për situatën nga individë apo grupe të caktuara të cilët janë marrë me thyerje të banesave, me keqpërdorime të simboleve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me plaçkitje, thyerje, djegie dhe shkatërrime”, kishte thënë Thaçi.

Ndërsa duke folur për rolin e Qeverisë së përkohshme të Kosovës, Mitchell potencoi se ata nuk kishin kompetenca që t’i hetonin krimet e luftës, kështu që kishin kërkuar që ta bënin autoritetet ndërkombëtare në Kosovë.

Mitchell, gjatë dëshmisë së saj, ka thënë se nuk e di nëse kishte gjuhë të përbashkët mes shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zonave operative.

“Nuk e di nëse kishin një gjuhë të përbashkët apo jo ”, tha Mitchel e cila është pyetur edhe për dëshminë e saj në Tribunalin e Hagës në rastin kundër krerëve politikë, ushtarakë e policorë serbë Milan Milutinoviç, Nikola Shainoviç, Dragolub Ojdaniç, Nebojsha Pavkoviç, Vladimir Lazareviç dhe Sreten Lukiç të dënuar për krime lufte në Kosovë.

“Po ju kujtoj atë që e keni thënë në gjykimin Milutinoviç në Tribunalin e Hagës se nuk kishte një qendër të unifikuar e të koordinuar në krahasim me forcat serbe, porse ishin më shumë komandantë të nivelit lokalë. A është kjo e saktë”, pyeti Kehoe.

Po ashtu ajo e ka pranuar se ka gabuar në raportin e saj për rastin “Panda” në Pejë ku ishin vrarë gjashtë të rinj serbë në vitin 1988, ku i kishte akuzuar për vrasjen e tyre vrasjen e të rinjve serbë e kishte bërë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Ju publikuat një rrëfim për vrasjet në Panda që ju besoni se ishte i mundshëm. Në atë raport është deklaratë ku thuhet se u vranë 6 të rinj serbë dhe pas këtyre vrasjeve ishte UÇK-ja dhe shqiptarë?”, pyeti avokati.

Ndërsa, Mitchell e pohoi se raporti “ka qenë i pasaktë”. Ajo pritet ta vazhdojë dëshminë të hënën në Gjykatën Speciale.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.