Boban

Ish ylli kroat prezanton formatin e ri të Botërorit të Klubeve

Ish kapiteni i kombëtares kroate të futbollit, sot zëvendëssekretar i Përgjithshëm i FIFA-s, Zvonimir Boban shpjegoi risitë e Botërorit të Klubeve që do aplikojë institucioni që drejton sportin më popullor të planetit.

Në një ndërhyrje në skenën e Globe Soccer Avvards, legjenda e Milanit dhe përfaqësueses dalmate kërkoi më shumë vëmendje për klubet.

“Ideja e FIFA-s është një kompeticion që të zhvillohet në çdo 4 vjet, me 8 grupe dhe nga 3 skuadra secila. Ky turne do të zhvillohet në një shtet të ndryshëm nga ai që do të presë botërorin për kombëtaret. Lojtarët dhe trajnerët kanë kërkuar të mos shtojmë numrin e ndeshjeve dhe me këtë turne çdo 4 vjet, do ketë mundësi më të mira organizimi”, tha Boban.

Ish kapiteni i Kroacisë u ndal për të vlerësuar edhe paraqitjen impresionuese të përfaqësueses nga Ballkani në Botërorin e 2018 në Rusi, dhe në veçanti lojën e Topit të Artë Luka Modriç.

“I treguam botës talentin dhe krenarinë tonë, cilësi që dolën më së miri në pah gjatë botërorit. Modriç është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe i bën lojtarët e tjerë në fushë, edhe më të mirë. Është një futbollist i rrallë dhe në të kaluarën mund ta krahasoj me Iniestën”, u shpreh kroati.

Zvonimir Boban është angazhuar në FIFA për ndikimin e tij të madh, ndërsa në vëmendjen e tij është shtuar ndjeshëm edhe fokusi te Ballkani.