Takimi

Ish truproja e Rugovës publikon pamje të rralla nga një takim në Cyrih (FOTO)

Ish presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, nuk kishte reshtur asnjëherë lobimin e tij për Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik.

Udhëtimet e tij nuk pushuan as pas përfundimit të luftës. Ai shkonte nëpër vendet euro-perëndimore dhe në SHBA për të paraqitur aspiratat e popullit të Kosovës për pavarësi. Stacioni i tij kryesor apo pikënisja e takimeve ndërkombëtare të Presidentit Rugova ishte, Zvicra përkatësisht Cyrihu.

Kështu kishte vepruar edhe në prill të vitit 2000, kur kishte shkuar në një takim të rëndësishëm në Cyrih të Zvicrës, në një hotel zonën Kloten bashkë me një delegacion nga Kosova, ndërsa pjesë e këtij takimi ishte edhe botuesi i gazetës kombëtare “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj.

Detaje nga ky takim ka dhënë Lulzim Maliqi, ish pjesëtar i sigurimit apo mbrojtjes së afërt të Presidentit Rugova në Zvicër dhe tani nënkryetar i LDK-së në këtë shtet.

Nëpërmjet një statusi në profilin e tij në Facebook, Maliqi ka publikuar disa fotografi të marra nga videoja e takimit në fjalë.

“Zürich / Kloten, 04/2000, në shërbim të Presidentit të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova
#RKS 🇽🇰Secret Service (the Office of Presidet)©️Milazim thx”, ka shkruar Maliqi.

Ndërsa, ai për gazetën “Bota sot”, ka dhënë detaje të tjera nga takimi në fjalë.

“Ky takim ka ndodhur në muajin prill të vitit 2000. Ne kemi qenë mbrojtje e afërt e Presidentit Rugova, pra shërbim i sigurimit në krye me z. Elez Nikqi. Të pranishëm në takim kanë qenë Ish Akademisë Policore të Kosovës në Vushtrri, Hajrullah Tërnava, ish zëvendësministri në Ministrinë e Mbrojtjes Agim Mehmeti (tashmë i ndjerë) dhe botuesi i gazetës “Bota sot” Xhevdet Mazrekaj. Në takim është diskutuar për formimin e ushtrisë së Kosovës” ka treguar Maliqi.

Lulzim Maliqi konsideron se, atë ditë e kishte kryer me sukses detyrën e mbrojtjes së afërt të Presidentit Rugova.

Kjo pasi, në atë hotel ishte i pranishëm shefi i sigurimit të Serbisë, i cili përbënte rrezik për jetën e Presidentit Rugova dhe pjesëtarëve të tjerë të delegacionit.