Ish-shërbëtori i Millosheviqit “interpreton” ushtrimet e NATO-s në Kosovë si sulm ndaj veriut

Ish-analisti ushtarak serb në shërbim të kriminelit Sllobodan Millosheviq, Millovan Drecun, ka pretenduar se iniciativa për hapjen e urës mbi Ibër “është pjesë e përgatitjeve për pushtimin e veriut të Kosovës”, raportojnë mediat serbe.

“Është planifikuar një operacion polico-ushtarak në veri. Po bëhen përgatitje serioze dhe pjesëmarrja në këtë stërvitje ushtarake në të cilën po marrin pjesë Forcat e Sigurisë së Kosovës, dhe gjithë kjo përgatitje. Kur ushtrohet për “aksione sulmuese”, kjo tregon se po përgatite diçka”, ka thënë Drecun në televizionin e kontrolluar nga Vuçiqi, “TV Pink”, transmeton Paparaci.

Ai ka shtuar se autoritetet e Kosovës duan “të përçajnë serbët dhe t’i thyejnë serbët të cilët do të kundërshtonin diçka në disa drejtime”.

“Ata mund të hyjnë madje në katër drejtime në një aksion të lëvizshëm në mënyrë që serbët nuk do të mund të protestojnë. Unë e shoh hapjen e urës mbi Ibër si drejtimin kryesor të sulmit, është rruga kryesore që të çon në qendër të Mitrovicës”, ka pretenduar “analisti ushtarak” i Millosheviqit.

Ai, si edhe shefi i tij aktual, Vuçiq, ankohet se qëndrimi i Perëndimit ndaj popullit serb në veri të Kosovës është i tillë që “ata nuk i respektojnë fare serbët, nuk e respektojnë vullnetin e tyre”.

“Ata i trajtojnë serbët si qytetarë të rendit së dytë, nuk u intereson mbijetesa dhe perspektiva e tyre. Sa i përket tyre, serbë nuk do të kishte atje. Kjo është një qasje pa asnjë respekt dhe prandaj kështu sillet edhe Kurti, ka thënë Drecun.

Ai nuk ka harruar detyrën ta përmend edhe shefin e tij të ri, duke pretenduar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka dërguar një mesazh të qartë në Ohër: “Nuk do ta jap Kosovën” dhe se ky nuk është vetëm qëndrim i presidentit por i “gjithë popullit serb”.

“Mesazhi i presidentit dhe i gjithë popullit serb është – nuk do ta jap Kosovën. Serbia do të mbetet politikisht stabile, edhe pse do t’u përshtatej të tjerëve që të shembet dhe të mos ketë kapacitet për ta ruajtur Kosovën”, ka pretenduar Drecun duke përdorur parulla të kota një ditë para demonstratave të ftuar nga Vuçiqi.

Sipas tij, qëllimi i Kurtit nuk është të marrë pjesë në negociata dhe dialog, por të zbatojë “një veprim tjetër”, të vazhdojë të bëjë presion ndaj Beogradit duke “terrorizuar” popullin serb në Kosovë.

“Atyre u mungonte mbështetja ajrore, tani me blerjen e këtyre dronëve, edhe kjo është siguruar. Tani përveç stërvitjes që po i nënshtrohen, ata po trajnojnë 1.300 persona për të qenë operacionalë me NATO-n. Ata padyshim po përgatiten të bëjnë diçka të dhunshme në veriun e Kosovës”, ka thënë Drecun, megjithëse e ka të qartë se ky ushtrim ushtarak (“Mbrojtësi i Evropës 2023”) është pikërisht për t’u mbrojtur nga agresioni rus i ndihmuar me shërbëtorët e saj në Ballkan.