Zdravko Ponosh

Ish-shefi i ushtrisë serbe relativizon situatën: Qëllimi i Vuçiqit telefonata me Blinken, për atë e çoi ushtrinë afër kufirit

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Zdravko Ponosh, ka treguar arsyet se pse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka dislokuar ushtrinë serbe pranë kufirit me Kosovën.

Duke relativizuar gjendjen aktuale në terren, Ponosh, beson se me këtë “taktik ushtarake”, Vuçiq ka detyruar Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, të realizojë një bisedë telefonike me të.

“Një burrë vendosi të detyrojë njerëz të rëndësishëm nga e gjithë bota që ta thërrasin në telefon pas zbavitjes, duke grumbulluar një ushtri drejt Republikës së Kosovës. Dhe pastaj Blinken iu përgjigj atij”, pohon ai në një postim në platformën sociale, X.

Këtë manovër të Vuçiqit, Ponosh, e ka cilësuar si një “llogaritje diletante” meqë NATO ka vendosur forca shtesë në Kosovë.

Ndryshe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur përsëri shqetësimin e tyre për dislokimin e trupave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën, në një komunikatë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë ku është njoftuar biseda telefonike e këshilltarit për siguri kombëtare në SHBA, Jake Sullivan, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në po këtë komunikatë për media bëhet e ditur se Sullivan ka theksuar gatishmërinë e SHBA-së për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij.

“Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën. Ai vuri në dukje vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), veçanërisht në Veri të Kosovës, dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët tanë për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij”, thuhet në komunikatën për media e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Më herët gjatë ditës së premte, SHBA-të kërkuan nga Serbia që t’i tërheqë trupat ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën dhe që sulmuesit në rastin e Banjskës të mbahen përgjegjës.

NATO-ja ka vendosur për shtim të trupave në Kosovë.