Ish prokurori Sylë Hoxha, i përmendur në aferën “Pronto”, pjesë e tubimit të LDK-së në Prizren

LDK-ja dhe kandidati i tyre për kryeministër, Avdullah Hoti e kanë vazhduar edhe sot fushatën zgjedhore.

Hoti dhe krerët e partisë kanë qëndruar në Prizren ku i kanë takuar strukturat dhe simpatizantët e tyre.

Ajo që bie në sy në këtë takim është edhe prania e ish prokurorit të njohur Sylë Hoxha, shkruan Ballkani.info.

Sylë Hoxha shihet në rreshtin e parë të anëtarëve të LDK-së, derisa Hoti ka thënë: “U mirëpritëm fuqishëm nga strukturat, anëtarët dhe simpatizantët e shtëpisë sonë politike, të cilët folën dhe u deklaruan zëshëm duke thënë se: Ne jemi gati dhe në mbështetje të shtëpisë së madhe, LDK-së, e cila është themeluesja dhe garantuesja e shtetit të Kosovës. Zoti e bekoftë Prizrenin! Zoti e bekoftë LDK-në!”

Sylë Hoxha u pensionua në para një viti, më 10 shkurt.

Ai mbahet mend për hetimin e disa rasteve që kanë bërë bujë në opinionin publik, por edhe për përfshirje në afera publike.

Hoxha, i cili shërbeu si Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prizrenit dhe prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, ishte i përmendur në skandalin e përgjimeve “Dosja e Shefave”.

Kishte qenë nëntori i vitit 2011 kur Sylë Hoxha ishte përmendur nga dy njerëz të fuqishëm të PDK-së, Adem Grabovci dhe Njazi Thaçi.

Në këtë bisedë të zhvilluar në nëntor 2011, dëshmohet se PDK-ja në Prizren ka zgjedhur për kryeprokuror, Sylë Hoxhën i cili në të kaluarën ishte zyrtar i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Hoxha ka qenë zëvendësministër i Drejtësisë nga kjo parti.

Në serinë e tretë të përgjimeve “Dosja e Shefave” dëshmohet se Hoxha ishte zgjedhur nga PDK-ja.

Në të njëjtën kohë, Hoxha përmendet edhe si “i zgjedhur i partisë” që nuk dëgjonte “urdhrat e partisë”.

Për rastësi, kjo merret vesh kur Njazi Kryeziu i PDK-së refuzon që Fadil Kryeziu, një anëtar i LDK-së në Prizren të bëhet anëtar i Bordit të Ujësjellësit në Prizren.

Njazi Kryeziu, në skandalin e përgjimeve, dëgjohet duke thënë se Fadil Kryeziu duhet të hiqet nga lista sepse mund të veprojë njëjtë si Sylë Hoxha. /Ballkani.info/