Gjatë fundit të muajit të Ramazanit shumë besimtarë myslimanë kërkonin nga BIK dhe Qeveria e Kosovës që të bënin hapjen e xhamive për nder të festës së Bajramit. Objektet fetare ishin mbyllur me vendim të Bashkësisë Islame të Kosovës në kordinim me Ministrinë e Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.

Disa studentë kishin dalur në shesh për ta falur namazin. Një veprim që ishte komentuar shumë. Madje ish-profesori, Gani Mehmetaj i kishte ofenduar duke i cilësuar si “qen endacakë”.

Organizata Studentore, “Ideali studentor” në bashkëpunim me dy avokatë ka ngritur kallëzim penal ndaj Mehmetajt.

“Shpresojmë që prokuroria të sjellë para drejtësisë këtë person, i cili shkeli në mënyrë flagrante kodin penal të RKS (neni 141 (Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit), neni 190 (Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës) neni 38 [Liria e Besimit, e Ndërgjegjes dhe e Fesë] etj”, thuhet ndër tjerash në komunikatën për media.

Komunikata e plotë:

Ashtu siç edhe paralajmëruam, sot me datë 28.05.2020 (ditë e enjte), në shoqërinë e dy avokatëve, e dorëzuam në prokurorinë themelore në Prishtinë kallëzimin penal ndaj ish-profesorit Gani Mehmetaj, për shkak të fyerjes së besimtarëve që dolen në shesh, duke i quajtur “qen endacakë” e që padyshim shumica e tyre ishin studentë e ndoshta edhe studentë të tij. Duke e parë që ka njerëz të tillë të cilët nuk e kursejnë gjuhen urrejtëse e cila mund të shoqërohet edhe në rrafshe tjera ku dëmtohen studentët, organizata jonë do t’i qëndrojë pas çdo rasti ku shkelen të drejtat e studentëve për shkak të fesë, prejardhjes, etnisë apo për shkak lirisë së mendimit që e gëzojnë ata.

Shpresojmë që prokuroria të sjellë para drejtësisë këtë person, i cili shkeli në mënyrë flagrante kodin penal të RKS (neni 141 (Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit), neni 190 (Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës) neni 38 [Liria e Besimit, e Ndërgjegjes dhe e Fesë] etj.)

Kërkojmë nga ju që ta shpërndani këtë lajm! 

Organizata studentore “STUDENTI IDEAL”