Ish-presidenti i Juves: Transferimi i Ronaldos ishte gabim, sa më shpejt që largohet aq më mirë

E ardhmja e Cristiano Ronaldos mbetet e paqartë kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në mbylljen e afatit kalimtar veror.

Ndërkohë, tifozët e Juventusit janë ndarë në dysh. Ka nga ata që shpresojnë që ylli portugez të vazhdojë me “Zonjën e Vjetër” dhe ka të atillë që nuk po e duan qëndrimin e tij.

Me këta të dytët është edhe ish presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli, transmeton Gazeta Express.

Në një intervistë për Serie A News, ai tha se transferimi i Ronaldos ishte gabim i Juventusit.

“Unë kam qenë çdoherë i sinqertë. Transferimi i Ronaldos ishte gabim. Ishte e pamundur ta rikuperoje investimin. Ai është futbollist i madh, por të jem i sinqertë: sa më shpejt që largohet, do të jetë më mire për të dhe për Juventusin” – u shpreh Gigli.

Sipas tij, rinovimi me Dybalan dhe largimi i Ronaldos do të ishte rrokada më e mirë për të gjithë.