Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ka mbërritur këtë të martë, më 21 tetor, në një burg në Paris për të filluar vuajtjen e një dënimi me 5 vite burg për një komplot për financimin e fushatës së tij elektorale të vitit 2007 me fonde nga Libia.
Ai është ish-udhëheqësi i parë i Francës moderne që dënohet me burgim.
Siç shkruan Associated Press, Sarkozy, dorë për dore me gruan e tij Carla Bruni-Sarkozy, u largua nga banesa përpara se të hipte në makinë dhe të udhëtonte drejt burgut La Santé.
Në rrugën drejt burgut, Sarkozy deklaroi në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale se “po mbyllet pas hekurave një njeri i pafajshëm.”
Ai u dënua muajin e kaluar për komplot penal në një skemë për të financuar fushatën e tij presidenciale të vitit 2007 me para nga Libia. Sarkozy kundërshton si vendimin për dënimin, ashtu edhe vendimin e pazakontë të gjykatësit për ta burgosur menjëherë përpara shqyrtimit të apelimit.
Udhëtimi i tij nga pallati presidencial Élysée drejt burgut famëkeq La Santé në Paris ka tërhequr vëmendjen e gjithë Francës.
Pak minuta përpara se të hynte në burg, Sarkozy dhe gruaja e tij ecnin ngadalë për t’u bashkuar me fëmijët dhe nipërit e mbesat jashtë shtëpisë së tij. Ai përshëndeti turmën e përkrahësve të mbledhur në lagjen e pasur të Parisit ku banon, pastaj hipi në makinë.
Qindra përkrahës e duartrokitën dhe thërrisnin “Nicolas, Nicolas” dhe këndonin himnin francez. Dy flamuj francezë ishin varur në një gardh aty pranë, me mbishkrimet: “Kurajo Nicolas, kthehu shpejt” dhe “Franca e vërtetë me Nicolasin.”
Djemtë dhe vajza e Sarkozy-t, Jean, Pierre, Louis dhe Giulia, si dhe nipërit e mbesat morën pjesë në grumbullim.







