Ish-minstrit i largohen posterët në vendlindje, kreu i Kamenicës tregon arsyen

Autoritetet e Komunës së Kamenicës javën e kaluar kanë larguar nga hapësira publike e qytetit posterët e Partisë Demokratike të Kosovës, konkretisht ato të Kadri Veselit.

Ndërkohë të njëjtën gjë sot e kanë bërë edhe me posterët e kandidatit për deputet të koalicionit NISMA-AKR, Fatmir Matoshit, i cili në një reagim në profilin e tij zyrtar nuk ka ngurruar që të drejtojë gishtin nga koalicioni PSD-AAK dhe kreu i kësaj komune, Qendron Kastrati.

“Regjimi në Kamenicë, paska marrë sot vendim me gojë me i largu posterat e mi të vendosur në hapësira me kontrata të rregullta dhe valide”, ka shkruar Fatmir Matoshi i cili vjen nga ky rajon.

Lidhur me këto akuza të ish-ministrit, Gazeta Express, ka kontaktuar kreun e Komunës së Kamenicës, Qendron Kastratin, i cili thotë se janë larguar posterë të të gjitha partive, të cilët janë vendosur në hapësira publike në mënyrë të pa rregullt.

Kastrati ka thënë se pretendimet e Fatmir Matoshit nuk qëndrojnë, pasi që largimi i posterëve është bërë për shkak se nuk janë respektuar procedurat dhe jo për ndonjë arsye tjetër.

“Nuk qëndron ajo aspak. Sa për informacion janë heqë 9 postera të kandidatëve dhe shumë posterë edhe billborda të tjerë të koalicionit tonë. Këtu problemi ka qenë që kompania nuk i ka ndjek procedurat me rregull. Edhe fatkeqësisht ka ardhur kjo situatë”, ka thënë Kastrati për Express.

Ai madje thotë se më të dëmtuar nga vendimi i Komunës së Kamenicës për largim të billbordeve që janë vendosur në mënyrë jo të rregullt është koalicioni AAK-PSD.

“ Nëse s’gaboj në sasi janë më shumë të koalicionit tonë që janë largu . Po kjo është çështje ligjore”, ka shtuar tutje kreu i Kamenicës.

Kastrati thotë se nuk kanë marrë leje paraprake për vendosjen e posterëve nëpër hapësira publike të Komunës së Kamenicës.

loading…