Ish-ministrja Haradinaj-Stublla thotë se avokati e kishte udhëzuar që të mos e deklarojë biznesin në Londër, prokurori kërkon dënimin e saj

Ka përfunduar rigjykimi ndaj ish-ministres së Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla, në rastin ku ajo po akuzohet për mos raportim të pasurisë.

Ajo po akuzohet se me rastin e marrjes së detyrës si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, më 11 shtator 2017, nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) pronësinë e saj mbi biznesin “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër, edhe pse ka qenë e obliguar.

Në seancën e fundit që u mbajt për këtë rast të martën, Haradinaj-Stublla tha se biznesin e saj në Londër nuk e kishte deklaruar në AKK pasi kështu ishte udhëzuar nga avokati i saj anglez.

Ajo tha se me rastin e emërimit të saj si këshilltare e kryeministrit Haradinaj në shtator të vitit 2017, ishte kujdesur që të plotësonte formularin e pasurisë në përpikëri.

Për këtë arsye, ajo tha se i ishte drejtuar avokatit të saj në Londër, për ta pyetur se a nënkuptonte biznes, një biznes që sipas saj nuk kishte pasur transaksione, asnjë investim dhe kishte qenë jofunksional.

Përgjigja që kishte marrë nga avokati, Haradinaj-Stublla tha se kishte qenë që të mos e deklaronte pasi sipas tij, biznesi i cili është objekt i akuzës kishte qenë jo-funksional.

“Avokati në atë kohë më është përgjigj gojarisht që sipas ligjit anglez statusi i kompanisë është “dormant”, është një fjalë kjo në gjuhën shqipe përkthehet si “e fjetur”, jo funksionale dhe sipas ligjit të Kosovës duhet të jetë me qarkullim mbi tre mijë euro dhe për këtë shkak nuk e kam deklarua”, tha Haradinaj-Stublla.

Tutje, ajo tha se nëse shikohet formulari i pasurisë që e kishte plotësuar, mund të vërehet se në përpikëri e kishte përmbushur atë. Kjo pasi siç tha, në deklarim të pasurisë kishte deklaruar edhe dhuratat familjare, e që sipas saj, shumë nga zyrtarët e tjerë nuk e bëjnë.

Ajo ka thënë se lidhur me deklarimin e biznesit “IN MIDDLE LTD”, nuk iu kishte drejtuar AKK-së, me arsyetimin se kjo kompani kishte qenë e regjistruar në Angli dhe se sipas saj, statusi ligjor definohet sipas ligjeve angleze.

“Dhe kjo e vërteton që unë s’kom pas asnjë arsye për mos me deklaru biznesin prej 10 funtave të cilat i kthehen mbretërisë pastaj, e edhe ju kanë kthy mbretërisë me rastin e mbylljes së biznesit me 5 mars 2019. Po ashtu e kam pyetur avokatin a duhet me marr ndonjë veprim për me mbyll këtë biznes të regjistruar, e ai më është përgjigjur që kur biznesi është “dormant”, atëherë ai hyn automatikisht në procedurë të mbylljes automatike andaj s’ka nevojë për veprime shtesë”, tha ajo.

“Ju thatë që nuk keni pas asnjë përfitim nga kjo kompani, apo jo?”, ishte pyetja që avokatja Merita Stublla-Emini i bëri Haradinaj-Stubllës të cilën edhe e mbron në këtë rast.

“Jo, se s’ka vepruar, i vetmi transaksion është ndalesat për mirëmbajtjen e llogarisë bankare e cila është, nuk e di 3 cent apo 1 cent e që është e shënuar në provat e dorëzuara në gjykatë”, ishte përgjigja e ish-ministres.

Ndryshe, Haradinaj-Stublla tha se biznesin “IN MIDDLE LTD”, e kishte hapur në vitin 2016, pasi kishte qenë e papunë dhe kishte pasur një ide për biznes. Këtë biznes ajo tha se e kishte hapur “online” dhe pa investime.

“Ka qenë një kohë kurë unë kom jetu në Angli, dhe në atë kohë kam qenë pa punë në shtëpi se sa pata lindur edhe si amvise që isha në shtëpi më erdhi një ide me hap një biznes e kisha një ide. Është procedura shumë e lehtë në Angli për hapjen e një biznesi, e plotëson një formular “online” dhe shumë praktike she pa asnjë cent investim.”, tha ajo.

Vlera e aseteve në këtë biznes, Haradinaj-Stublla tha se ka qenë 10 funta.

“Dhe deri në datën e mbylljes kjo ka qenë vlera e aseteve d.m.th. 10 funta. E cila vlerë i kthehet mbrapa mbretërisë, pra shtetit, dmth ato 10 funta ju kanë kthy prap mbretërisë të cilat i ka pagua vet mbretëria me rastin e hapjes së biznesit”, tha ajo.

Haradinaj-Stublla tha se ky biznes nuk kishte pasur transaksione.

Ndërsa, në pyetjen e prokurorit Bekim Kodraliu, nëse e akuzuara Haradinaj-Stublla, me kompaninë e regjistruar në shtetin e Anglisë kishte pasur të drejtë të aplikonte për fitimin e ndonjë projekti, kjo e fundit tha se nuk kishte pasur pretendime të tilla kur kishte hapur atë.

Kur është pyetur nga prokurori Kodraliu nëse e akuzuara gjatë plotësimit të formularit për deklarimin e pasurisë kishte qenë e vetëdijshme për rubrikën ku kërkohet të plotësohet nëse zyrtari i lartë është zotërues i aksioneve, e njëjta i është përgjigjur me po.

“Po plotësisht e vetëdijshme, por ritheksoj se bindja ime sipas detyrimeve që jam mvesh si zyrtare e lartë ka qenë se nuk jam e obliguar të raportoj asgjë për një biznes që është jofunksional dhe sipas ligjit anglez me status “ i fjetur”, dhe në shuarje e sipër dhe e njëjta më është konfirmuar nga këshilla e avokatit gojarisht dhe me shkrim”, u përgjigj ajo.

Paraprakisht, gjykatësja Lumije Krasniqi ka njoftuar palët, se sa i përket kërkesës së parashtruar nga gjykatësi paraprak, Alban Ajvazi drejt autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar për sigurimin e të dhënave për biznesin i cili ishte objekt i kësaj aktakuze, këta të fundit kishin kthyer përgjigje më 16 prill 2021, me ç’rast u është dorëzuar nga një kopje palëve në procedurë.

Gjykatësja Krasniqi tha se në një ndër përgjigjet e këtij autoriteti të dhënë së bashku me këshillat, ishte se të dhënat për këtë biznes apo provat janë publike dhe mund të merren nga “Companies House”, apo shtëpia e kompanive, e të cilat sipas gjykatëses Krasniqi janë prova në kallëzimin penal si dhe në aktakuzë.

Andaj, gjykatësja Krasniqi ka thënë se gjykata ka vlerësuar se nuk ka nevojë për të ju drejtuar përsëri këtyre autoriteteve për sqarime shtesë.

Përgjigjen e autoriteteve të Britanisë së Madhe, prokurori Kodraliu e ka konsideruar si provë relevante për faktin se sipas tij, e akuzuara ka pasur një biznes të hapur në këtë shtet  në kohën kur ka qenë e emëruar si zyrtare e lartë dhe se e njëjta ka pasur për obligim ta deklaroj atë në AKK.

Ndërsa avokatja Stublla Emini, ka thënë se në këtë shkresë vetëm dëshmohet se e mbrojtura e saj ka pasur biznes në Britaninë e Madhe por që nuk dëshmon që ky biznes sipas saj, ka qenë jo aktiv dhe jo funksional në kohën kur prokuroria pretendon se është kryer vepra penale.

Gjithashtu në këtë seancë, avokatja Stublla-Emini gjykatës i ka dorëzuar prova të reja, sipas së cilave dëshmohet se kompania për të cilën po akuzohet Haradinaj-Stublla, është shpërbërë apo çregjistruar më 5 mars 2019 dhe nuk ka vepruar me asnjë transaksion pas datës 12 shtator 2017.

“Këto prova e dëshmojnë që kompania ka qenë jo aktive, jo funksionale, nuk ka vepruar asnjëherë dhe sipas ligjit anglez, statusi i saj në momentin kur është raportuar në AKK ka qenë “dormant”, që do të thotë kompani e fjetur ose jofunksionale”, tha avokatja.

Gjithashtu, avokatja sërish e paraqiti si provë këshillën juridike të avokatit anglez të akuzuarës Haradinaj-Stublla, me të cilën e kishte udhëzuar këtë të fundit që kompania “IN MIDDLE LTD”, për shkak të statusit nuk duhej të raportohej.

Ajo ka shtuar se në Angli nga momentit kur një kompani shpallet “dormant” e deri në momentin kur definitivsht çregjistrohet nga regjistri i agjencisë për regjistrim të bizneseve, sipas saj është një procedurë kohore për dy vite dhe se është proces automatik i çregjistrimit.

Në anën tjetër prokurori Kodraliu, ka thënë se një pretendim i tillë i avokates, nuk është relevant për prokurorinë pasi që sipas tij, kërkesa për çregjistrimin e këtij biznesi është bërë pas datës 30 shtator 2017 dhe pasi që e akuzuara e ka dorëzuar formularin për deklarimin e pasurisë në AKK.

Po ashtu, sipas prokurorit Kodraliu, në kohën kur e akuzuara ka pasur për obligim të deklaroj pasurinë e plotë në AKK, biznesi “IN MIDDLE LTD”, ka qenë i regjistruar në agjencinë për regjistrimin e kompanive në Angli.

“Dhe siç është vërtetuar edhe nga letra e avokatit të pandehurës në Britaninë e Madhe, zoti Arthur e cila u konfirmua edhe nga gjyqtarja sot, e njëjta ka pasur asete në vlerë prej 2,800 euro”, tha prokurori Kodraliu.

Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori tha se në bazë të provave që i janë bashkangjitur shkresave të lëndës, e akuzuara është përgjegjëse për veprimet e saja lidhur me mos deklarimin e biznesit të saj në Britani e të cilin mos deklarim, sipas prokurorit, e njëjta e ka bërë me vetëdije të plotë.

Andaj i njëjti nga gjykata ka kërkuar që të akuzuarën ta shpall fajtore dhe ta dënoj sipas ligjit në fuqi dhe që gjatë matjes së dënimit, të merren parasysh si rrethanat rënduese dhe ato lehtësuese.

Në anën tjetër, avokatja Stublla-Emini, e cila fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, gjykatës i ka propozuar që të mbrojturën e saj ta lirojë nga akuza me arsyetimin se nuk është provuar ajo e  kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, avokatja ka thënë se baza juridike e aktakuzës është e “luhatshme”, dhe se kemi të bëjmë me një çështje që në aspektin juridik nuk ka asgjë që të njëjtën do ta kualifikonte si vepër penale.

Ajo ka thënë se si mbrojtëse e të akuzuarës Haradinaj-Stublla kishte besuar që prokuroria e shtetit do të merrte parasysh nenin 7 të KPPK-së, ku i shqyrton dhe i vlerëson të gjitha provat para se të ngrit aktin akuzues.

“Kjo rrethanë ilustrohet me faktin që mos deklarimi pasurisë është iniciuar me një raportim në AKK pastaj ka vazhduar në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, sipas të cilës AKK ka nxjerrë një vendim për të vazhduar me procedurë por kanë qenë në pritje të raportimit vjetor. Prokuroria më 05.02.2019 ka kërkuar të dhëna nga AKK të cilat janë dorëzuar më 07.02.2019, dhe kjo rrethanë e ka shtyrë AKK-në që ta mbyll rastin. Këto janë të gjitha deklarime të dëshmitarit nga AKK, për ne edhe sot është e paqartë ngutia”, tha ajo.

Sipas avokates, prokuroria ishte në dijeni se në këtë çështje penale nuk kishte dëm, nuk kishte as palë të dëmtuara dhe nuk kishte pasoja apo  dashje, duke shtuar se vlera e kompanisë ishte e papërfillshme.

“Për tu konsideruar një vepër si vepër penale, ajo patjetër duhet të arrijë në kuantum të dëmit dhe rrezikut, në të kundërtën nëse shkalla e dëmit dhe rrezikut nuk arrin kuantumin atëherë nuk bëhet fjalë për vepër penale dhe jo çdo vepër që në dukje mund të jetë shkelje, mund të paraqitet si vepër penale. Vlera e kompanisë është e papërfillshme, është 10 funta, një funt për aksion, që nënkupton që kjo kompani vlen vetëm 10 funta dhe është kompani me përgjegjësi të kufizuar.”, tha ajo.

Sipas avokates, prokuroria me ngritjen e aktit akuzues kishte bërë shkelje të dispozitave ligjore, lidhur me faktin që kjo kompani sipas saj i nënshtrohet legjislacionit anglez dhe se për prokurorinë kjo çështje, sipas të njëjtës nuk ka pasur fare rëndësi.

Në fund avokatja ka thënë se statusi i kompanisë “In MIDDLE LTD” përcaktohet dhe qeveriset nga ligji për ndërmarrjet, “UK Companies Act” i vitit 2006, prandaj ajo tha se nuk mund të gjykohet e as të vendoset për një shoqëri tregtare të regjistruar në shtetin e huaj duke e konsideruar faktin se rregullat për shoqëritë tregtare nuk janë të njëjta.

Fjalët e mbrojtëses së saj i ka përkrahur edhe e akuzuara Haradinaj-Stublla e cila ka kërkuar nga gjykata që me rastin e marrjes së vendimit të shpall aktgjykim lirues ndaj saj.

Shpallja e këtij aktgjykimi do të bëhet më 4 qershor në orën 13:00.

Haradinaj-Stublla ishte shpallur fajtore nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor 2019, për veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rrem i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare.

Për këtë vepër penale, ajo ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht. Gjithashtu, ajo ishte dënuar edhe me njëmijë euro gjobë, të cilën sipas aktgjykimit, detyrohej ta paguajë brenda 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë, kurse në rast të mos pagesës, dënimi me gjobë do t’i shndërrohet me burgim, ku do të llogaritet 20 euro, për një ditë burgim.

Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas Apelit, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale.

“Po ashtu nga shkresat e lëndës rezulton se gjykata e shkallës së parë, me aktgjykimin nxjerrë, nuk i ka vërtetuar në mënyrë të drejtë elementet inkriminuese të veprës penale, e cila i vihet në barrë të akuzuarës, sepse fillimisht është dashur që të vërtetoj elementet të cilat e karakterizojnë veprën penale, që nënkupton në përshkrimin faktik dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i mangët. Për këto dhe arsye tjera, u vendos që çështja të kthehet në rigjykim”, thuhej në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Meliza Haradinaj-Stublla në drejtim të kryerjes së veprës penale “mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj-Stublla, në cilësinë e Zyrtares së Lartë Publike, dhe atë Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 1.3 dhe nenin 6 par. 1.1 të Ligjit Nr. 04/L-050, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.

Prokuroria pretendon se e akuzuara Haradinaj-Stublla, ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), me rastin e marrjes së detyrës më 11 shtator 2017, për vitin paraprak ku e njëjta përmes formularit për deklarimin e pasurisë nuk e ka deklaruar pronësinë e një biznesi të quajtur “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër edhe pse ka qenë e obliguar./BetimipërDrejtësi/