Bajram Hasani

Ish-ministri i Tregtisë: Vendimi ndaj Serbisë nuk mund të zgjasë as një javë

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka komentuar vendimin e Qeverisë Haradinaj, i cili sot ka miratuar masat tregtare të importit për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja. Ky veprim, sipas ish-ministrit Hasani, do të zgjasë vetëm një javë.

“Në kohën sa isha Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, pata marrë disa masa ndaj shteteve fqinje për produkte që i dëmtonin prodhuesit tonë. E keni shumë të freskët në kujtesë se këto vendime u kundërshtuan nga shumë ish-kolegë të mi nga kabineti qeveritar me arsyetimin se po i dëmtojmë marrëdhëniet me fqinjët dhe e shkelim marrëveshjen e CEFTA’së”, ka shkruar Hasani.

Tutje ai ka deklaruar se duke e njohur palën kosovare, dyshon që vendimi do të zgjasë deri të martën e ardhshme.

“Më erdhi mirë kur po të njëjtit sot kërkuan masa ndaj Serbisë dhe Bosnjës. Duke i njohur dyshoj shumë se këto masa do të jenë gjatë, mund të zgjasin vetëm deri të martën e ardhshme”.

Kryeministri Haradinaj ka bërë të ditur pas mbledhjes së sotme se Qeveria ka miratuar masat tregtare të importit për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja. Ky veprim u mor pas propozimit që Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për masën tarifore prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Haradinaj ka bërë të ditur se produktet serbe, në përjashtim të brendeve ndërkombëtare, do të kenë taksë shtesë prej 10 për qind.