Ish-ambasadori kroat në Gjermani dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Miro Kovaç, ka komentuar zhvillimet politike në botë dhe rajon.
Ai gjithashtu komentoi edhe fluturimin e aeroplanëve amerikanë F-16-ve mbi Republikën Srpska, si dhe lëvizjet e Milorad Dodikut, transmeton Ballkani.info.
“Milorad Dodik mori një mesazh të qartë. Amerikanët nuk do ta shkatërrojnë Republikën Srpska, sepse është marrëveshja e Dejtonit, por çdo gjë që do të vinte në dyshim strukturën dhe ndarjen është jashtë diskutimit. Ka njerëz që thonë se Dodik ka përgatitur gjithçka për shkëputje, unë e pranoj këtë mundësi. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë bota do të ndërhynte dhe nuk do të lejohej një gjë e tillë. Amerikanët dhe forcat ndërkombëtare do të aktivizohen. Do të ndalet me forcë. Vladimir Putin dhe Rusia nuk do të bënin asgjë atëherë sepse nuk kanë kapacitet për të. Është shumë larg për ta dhe kanë disa shqetësime të tyre. Prioriteti i tyre është Arktiku dhe lëndët djegëse fosile në Arktik. Në rastin e ndarjes, komuniteti ndërkombëtar do të reagonte shumë ashpër dhe kjo është edhe në interesin e Kroacisë. Kroacia duhet të jetë propozuesi më i madh i veprimit të fortë sepse do të kërcënohej interesi jetik kombëtar. Ne kemi obligim ta mbrojmë pavarësinë e BeH”, tha Kovaç.
Kujtojmë se Milorad Dodik, presidenti i Republikës Srpska, në fjalimet e tij të fundit theksoi se RS do të shpallë pavarësinë nëse përfaqësuesi i lartë vendos ligje pronësore. /Ballkani.info/







