Ish sulmuesi i Crvena Zvezdës nga Beogradi dhe Vardarit nga Shkupi, Darko Pançev, beson se do të ishte një mossukses i madh për Maqedoninë e Veriut nëse pëson disfatë kundër Kosovës në play-offs kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.
Kosova s’e arriti kualifikimin direkt në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A, pasi që mbeti në pozitën e tretë, prapa fitueses së grupit Anglisë dhe Çekisë.
Megjithatë, ëndrra e Kosovës nuk u mbyll me kaq. Dardanët kanë mundësi të kualifikohen në këtë kampionat përmes Rrugës D të play-offs, ku në gjysmëfinale do të luajnë kundër Maqedonisë Veriore, ndërsa në finale i pret ose Gjeorgjia, ose Bjellorusia.
Darko Pançev, në intervistën e tij të fundit për Balkans.aljazeera.net, mes tjerash ka dhënë mendimin e tij për gjasat e Maqedonisë së Veriut për tu kualifikuar në Euro 2020.
“Gjasat që ne të kualifikohemi në Kampionatin Evropian janë shumë të mëdha, megjithatë nuk duhet ta nënvlerësojmë askënd. Duke pasur parasysh se selektori Igor Angelovski thotë se kjo është gjenerata më e mirë në histori të Maqedonisë, atëherë s’duhet ta kemi problem”, ka thënë Pançev.
“Jemi favoritë kundër Kosovës, pasi që edhe luajmë në shtëpi. Nëse nuk fitojmë në atë ndeshje, do të jetë një dështim i madh për vendin tonë”, shtoi legjenda e futbollit maqedonas.







