Ish-kryetarët e Kushtetueses dhe Supremes morën mbi 570 mijë euro pas përfundimit të mandatit

Pagë të majme, zyrë dhe staf përcjellës ndër vite kanë përfituar edhe ish-kryetarët e Gjykatës Kushtetuese.

Ish-kryetari Enver Hasani, nga korriku 2015 deri në mars 2023 ka përfituar mbi 164 mijë euro.

Hasani ka shfrytëzuar edhe benefitet tjera dhe bashkë me të, kanë përfituar vozitësi, truproja edhe asistenti i tij. Secili prej tyre, kanë përfituar afër 31 mijë euro.

Veç kësaj, ish kryetari-Hasani ka në posedim edhe veturën zyrtare dhe deri me tani ka shpenzuar 5 mijë e 893 euro derivate dhe 4 mijë e 102 euro për servisimi dhe mirëmbajtje të veturës.

Ish-kryetarja Arta Rama-Hajrizi, nga korriku 2021 deri në mars 2023, nga 70% i pagës, ka përfituar afër 49 mijë euro.

Rama-Hajrizi ka të angazhuar edhe tre zyrtarë mbështetës. Një vozitës i cili deri në mars 2023 ka përfituar shumën neto 5 mijë e 610 euro. Një asistente, e cila ka përfituar shumën prej 3 mijë e 960 euro dhe një truprojë që ka përfituar 3 mijë e 300 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo gjithashtu, ka shpenzuar edhe 2 mijë e 388 euro në derivate si dhe 320 euro në servesim të veturës.

Ish-kryetaret e Gjykatës Supreme, janë përfituesit e tjerë nga Ligji. Deri më tani, këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar ish-kryetari Rexhep Haxhimusa dhe ish- kryetari Fejzullah Hasani.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme Rexhep Haxhimusa nga marsi 2010 deri në marsin 2023, ka përfituar 225 mijë euro.

Ish-Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, nga shkurti 2017 deri në mars 2023, ka përfituar mbi 141 mijë euro pagë mujore bruto.

Hasani, shfrytëzon dhe përfitimet tjera që rrjedhin nga ligji, përkatësisht ka një truprojë i cili sipas Ligjit të ri të pagave paguhet 412 euro bruto në muaj, një shofer që poashtu paguhet 412 euro në muaj dhe asistentin personal që paguhet 453 euro bruto ne muaj.