Ish-kryeshefi i Telekomit: Qeveria të filloj procedurat e privatizimit, të mos degradohet ndërmarrja

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për rikthimin e mundësisë së privatizimit të pjesshëm të Telekomit të Kosovës, ish-kryeshefi i Postë Telekomit të Kosovës (PTK), Bedri Istrefi ka deklaruar se është “pro” privatizimit të Telekomit.

Por, potencoi ai se Qeveria para së të filloj procedurat duhet të mendoj për stabilitetin teknik të PTK-së.

Siç tha Istrefi, duhet t’iu rritet vlera asteve që shteti të arrijë të privatizoj me një çmim të favorshëm.

“Qysh në fillim të marrjes së mandatit në vitin 2019 jam deklaruar se duhet sa më parë të bëhet privatizimi i Telekomit të Kosovës për arsye se është interes shtetëror dhe strategjik i kompanisë”.

“Para se të vendoset për procedurat e privatizimit, së pari të mendohet të bëhet stabiliteti teknik i PTK-së, që t’iu rritet vlera aseteve të tyre në mënyrë që shteti të arrijë të privatizoj me një çmim të favorshëm”, u shpreh ai një deklaratë për Ekonomia Online

Istrefi theksoi se duhet të bëhet privatizim i pjesshëm e jo i tërësishëm i ndërmarrjes publike.

Mes tjerash, kërkoi ai nga Qeveria Hoti që ta përfundoj procesin e privatizimit e jo të stagnoi sikur në Qeveritë e kaluara, sepse në ketë mënyre do të ndalen investimet.

Sipas tij po ashtu në këtë formë do të degradohet edhe imazhi i Telekomit.

“Çdo herë të mendohet një privatizim i pjesshëm jo i tërësishëm, ose të krijon lidhje qeveria që edhe përmes aksionareve të ketë kontrollin dhe mundësinë e investimeve. Shembullin më të mirë e kemi KEDS-in kur Qeveria është detyruar të ndajë KEK-un në atë kohë, tani shteti i Kosovës realizon të hyrat dhe nuk ka nevojë të ndihmojë ndërmarrja publike”

“Kësaj herë të mos ndodhë procesi e të ndalet sepse në këtë formë është degraduar Telekomi. Sa herë që është futur në proces të privatizimit janë ndalur investimet. Më privatizimin e pjesshëm nuk do të ketë mundësi që asnjë parti politike të bëjë politikë në emër të ndërmarrjes publike. Nëpër fushata disa parti politike kanë atakuar Telekomin dhe e kemi parë si degradim të imazhit të ndërmarrjes”, ka thënë Istrefi.