Ish kryeministri serb e pranon hapur për herë të parë: Pjesëtarët e forcave serbe ishin në Kosovë edhe pas vitit 1999

Ish-kryeministri i Serbisë Zoran Zhivkoviq, e ka zbuluar një fakt tronditës pas më shumë se 20 vitesh. Ai ka thënë se ushtria serbe ka qenë në Kosovë edhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, edhe pas vitit 1999.

“Ka qenë sekret, por sigurisht të gjithë e dinin. Sigurisht që ne në atë kohë kishim forcat tona në Kosovë, ata nuk ishin me uniformë, ishin pjesëtarë nga Kosova, kështu që ata qëndruan atje ose ishin nga shërbimet e sigurisë. Këta janë personat që iu bashkuan Policisë së Kosovës pas disa vitesh. Sigurisht që është përgjegjësi e shtetit, kur është një pjesë e popullatës së cilës i rrezikohet jeta, të marrë masa adekuate. Kështu kemi pasur një prani joformale të forcave në Kosovë, qëllimi i të cilave ishte mbrojtja e jetëve të serbëve të rrezikuar në atë territor”, ka treguar Zhivkoviq.

Kujtojmë se në mes të krizës në zhvillim, nga Beogradi vijnë lajmet se do të kërkojnë kthimin e 1000 ushtarëve serbë në Kosovë në përputhje me Rezolutën 1244. Sa është e realizueshme kjo? Marko Jakshiq thekson se nëse situata për serbët nuk përmirësohet, duhet pritur që shumica të largohen nga territori i Kosovës.

Ish-kryeministri serb, Zoran Zhivkoviq thotë se e kupton gjendjen shpirtërore të serbëve nga veriu i Kosovës. “Është pjesë e paradës së marrëzive të Vuçiqit, ku ai nuk fle natën dhe shqetësohet, kërcënon se do të bëjë diçka dhe më pas nuk bën asgjë. Dhe nëse thotë se do t’i mbrojë serbët, unë i kërkoj që të mos e bëjë fare këtë”, tha Zhivkoviq dhe kujtoi fatin e serbëve në Krajina, në të cilën Partia Radikale Serbe, anëtare e së cilës ishte Vuçiq gjatë asaj kohe i ka mbrojtur.

Ai beson se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës, përfshirë policinë, ishte e panevojshme.

“Ka kuptim politik që të tërhiqen nga parlamenti deputetë, të cilët siç dëgjoj atje marrin rroga të mira dhe vozisin me targa të Kosovës, por jo të largohen policët serbë, sepse janë mbrojtje. Pavarësisht nga shenjat në uniformat e tyre, ata kanë armë dhe mund të parandalojnë çdo akt të dhunshëm kundër serbëve,” tha Zhivkoviq.

Ai e vlerëson politikën e Vuçiqit në Kosovë si “politikë dehjeje politike dhe kiçit”.

Ai kujton se edhe kur ishte ministër, në Kosovë kishte “gjithçka dhe çdo gjë”, por thekson se qeveria ka mbajtur kontakte me KFOR-in dhe bashkësinë ndërkombëtare dhe se situatat e rrezikshme janë shmangur.