Ish-kryeministri rus jep parashikimin se sa mund të zgjasë lufta me Ukrainën

Kolegu i ngushtë i Putinit në fillimet e karrierës së lartë politike, ish-kryeministri rus Mikhail Kasyanov, në një intervistë të tijën ka folur për luftën në Ukrainë ndërsa tha se ajo mund të zgjasë mbi dy vjet.

Ai thotë se e kuptoi menjëherë se do të kishte luftë kur pa se shefi i Kremlinit mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Kasyanov, kryeministër i Rusisë nga viti 2000 deri më 2004-ën, tha se nuk besonte në javët përpara luftës se ajo do të ndodhte vërtetë.

“E kuptova se Putini nuk po bënte bllof vetëm kur e pashë të thërriste lidershipin rus për të inskenuar një  teatër politik, tre ditë para pushtimit më 24 shkurt,” tha ish kreu i shtetit rus.

Sipas Kasyanovit, Putini, si një ish-agjent i KGB-së, ka arritur që gjatë 20 vjetëve të fundit të ndërtojë një sistem të bazuar mbi frikën dhe pandëshkueshmërinë.

“Me inkurajimin e Putinit si kreu i shtetit, Rusia sot funksionon në mënyrë më cinike dhe mizore se në fazat e fundit të Bashkimit Sovjetik. Në themel ky është një sistem i KGB-së, ” tha ai.

Kasyanov është larguar nga Rusia për shkak të luftës dhe jeton në Evropë, por nuk pranoi të zbulonte vendndodhjen e tij për shkak të shqetësimeve për jetën.

Dikur aleat i ngushtë i Putinit, kaloi në opozitë dhe u bë aleat me Boris Nemtsovin, por atë e qëlluan për vdekje pranë Kremlinit, në vitin 2015. Kritiku më i njohur i Putinit, Alexei Navalny, 46 vjeç, u helmua me agjent nervor në vitin 2020 dhe tani është në burg.

Kasyanov tha se “kategorikisht” nuk ishte dakord me sugjerimin e presidentit francez Emmanuel Macron se Putini nuk duhet të poshtërohet. Ai gjithashtu hodhi poshtë thirrjet që Ukraina të lëshojë territorin për t’i dhënë fund luftës.

Kasyanov ka shpresë për popullin e tij rus dhe të ardhmen e atyre njerëzve të mrekullueshëm. Ai thotë se Putini do të zëvendësohet nga një “kuazi-pasardhës” i kontrolluar nga shërbimet e sigurisë.

Por një pasardhës nuk do të jetë në gjendje të kontrollojë sistemin për një kohë të gjatë dhe përfundimisht Rusia do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.