Ish-kryediplomatja: Kërcënimi i Martyt nuk është befasues, por qëndrimi i tij pas gënjeshtrave për trafikim organesh

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, e ka parë të çuditshme qëndrimin e politikanit zviceran, Dick Marty, karshi akuzave për trafikim organesh ndaj ish-krerëve të UÇK-së, për të cilat thotë se “janë të mbushura me gënjeshtra bizare serbe”.

Ish-kryediplomatja kosovare këto deklarime i ka bërë në llogarinë zyrtare të saj në ‘Twitter’, teksa ka shtuar se nuk është habi kërcënimi i tij nga agjencia e inteligjencës së Serbisë.

“Konfirmimi nga vetë #DickMarty se #Inteligjenca Serbe po planifikonte ekzekutimin e tij për të fajësuar #Kosovën- #Shqiptarët NUK është befasuese”, ka shkruar ajo.

“Fakti tronditës është se si vetë #Marty vazhdon të qëndrojë pas gënjeshtrave të çuditshme të nxitura nga #serbët të raportit të tij famëkeq të ‘trafikimit të organeve’!”, përfundon Haradinaj-Stublla.

Në emisionin “Mise au Point”, Radiotelevizionin e Zvicrës tek kanali “RTS 1”, së fundmi Marty ka deklaruar se ishte habitur se nuk ishin shqiptarët ata që planifikuan vrasjen e tij, meqë supozohej se ata do kishin një arsye, por në fakt ishin serbët që ia donin vdekjen.

“E habitshme që nuk erdhi nga ata që unë akuzova, por erdhi nga kundërshtarët e tyre”, deklaronte ish-përfaqësuesi zviceran në Këshillin e Evropës.