Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut dhuron 1.8 miliard dollarë, për shkollën ku ai vetë kreu studimet

Ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg, njoftoi se po i dhuron 1.8 miliard dollarë Universitetit Johns Hopkins, për të rritur ndihmën financiare ndaj studentëve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Universiteti në Baltimore të shtetit Maryland tha se kontributi i zotit Bloomberg për shkollën ku ai vetë ka kryer studimet, është më i madhi që i është dhënë ndonjëherë një institucioni arsimor në SHBA.

Me këtë shumë, thanë zyrtarët, përcjell voa, universiteti do të mund të eliminojë kreditë studentore duke filluar nga vjeshta e ardhshme dhe do të ofrojë bursa të cilat nuk ka nevojë të shlyhen.

Sipas tyre, universiteti do të zbatojë parimin e pranimit të studentëve në bazë të rezultateve, pa marrë parasysh nëse janë ose në gjendje të paguajnë.

Zoti Bloomberg tha se shpreson që paratë të lehtësojnë barrën e borxhit për ata që diplomohen.