Ish-komandanti i FSK-së: Ushtria e Kosovës s’mund të marrë pjesë në luftime frontale në Ukrainë

Kosova ka shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në çdo mision të mundshëm të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Ukrainë, pasi frika për një pushtim rus po rritet çdo ditë e më shumë.

Por, ish-komandanti i Përgjithshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati thotë se kjo forcë është e gatshme që të marrë pjesë në misione jashtë vendit, por jo në luftime të drejtpërdrejta.

“Unë mendoj së nëse do të bëhej një kërkesë e tillë nga SHBA-ja apo nga Garda Kombëtare e Ajovas, të cilën e kemi partner kryesor strategjik, atëherë mendoj se ushtria e Kosovës ka kapacitete jo luftarake, por kapacitete logjistike, mjekësore, kapacitete me oficerë që janë shkolluar jashtë Republikës së Kosovës për të dhënë kontributin e vet nëse kërkohet një gjë e tillë”, tha Kastrati për Demokracia.com.

Gjenerallejtënant Kastrati thotë se pjesëtarët e FSK-së janë të stërvitur edhe në temperatura të jashtëzakonshme.

“Mendoj se ushtarët e Kosovës, oficerët dhe nënoficerët janë të stërvitur mirë në kushte ekstreme të ftohta, do të mund t’i përballonin edhe kushtet klimatike ekstreme në atë pjesë të botës. Personalisht mendoj se nuk do të ishte problem nëse kërkohet një gjë e tillë. Edhe pse ka pesë vjet që nuk jam atje (në FSK), por e përcjell nga afër, unë mendoj ne nuk mund të marrim pjesë me trupa të shumtë, por simbolikisht siç kemi qenë në Kuvajt edhe këtu me një numër të konsiderueshëm të trupave, siç janë logjistika, mjekësia, kërkim – shpëtimi. Nëse kërkohet Ushtria e Kosovës ka kapacitete shumë profesionale që ta kryej atë mision në mënyrë të shkëlqyeshme”, shtoi Kastrati.

Ish-komandanti i kësaj i ushtrisë thotë se duhet edhe shumë punë që FSK-ja të marrë pjesë drejtpërdrejt në luftime. Sipas tij, duhen ende pajisje të sofistikuara luftarake dhe trajnime sipas standardeve të NATO-s.

“Mendoj që ende është herët dhe ne si Kosovë dhe si ushtri nuk kemi as kapacitete trajnuese, as armatime të sofistikuara, as pajisje që të mund të marrim pjesë direkt në luftime dhe për këtë gjë do të duhej edhe disa kohë të pritet derisa të pajiset me armatime të sofistikuara dhe të kryej trajnime sipas standardeve të NATO-s. Unë mendoj se akoma është herët që Ushtria e Kosovës të marrë pjesë në ndonjë mision luftarak në vijë të frontit”, u shpreh ai për Demokracia.com.

Kujtojmë se Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ditë më parë tha se ishte e gatshme për të ndihmuar në Ukrainë, pa specifikuar se si.

“SHBA-të, si aleati ynë strategjik kryesor dhe i pazëvendësueshëm, i dinë më së miri aftësitë dhe kapacitetet operacionale të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe nëse vlerësojnë se mund të angazhohen kapacitetet tona, siç jemi zotuar gjithmonë, do të jemi të gatshëm të jemi përkrah tyre. në çdo operacion në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal”, tha për mediat kolonel Sefer Isufi, shef i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, duke vënë në dukje se forcat e Kosovës kanë “marrë pjesë aktive” me NATO-n në evakuimin e refugjatëve nga Afganistani.

“Kudo që janë SHBA-të, aty është edhe Kosova!” ka thënë Isufi.

Kosova nuk është anëtare e NATO-s, sepse katër nga 30 shtetet anëtare të aleancës perëndimore Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Greqia, ende nuk na njohin si shtet të pavarur.

Forca e Sigurisë së Kosovës në vitin 2021 ka kryer misionin e parë paqësor jashtë vendit, përkatësisht në Kuvajt. Në në mars të vitit 2021,  FSK ka zbarkuar në misionin e parë paqeruajtës, që nga shndërrimi i saj në ushtri në dhjetor të vitit 2018. Kontingjenti i ushtarëve të Kosovës ishte pjesë e misionit të Gardës Kombëtare të Ajovas të Ushtrisë amerikane.