Gian Gentile

Ish-koloneli amerikan për sulmuesit në Banjskë: Ata ishin të pajisur si një këmbësorie ushtarake prej 120 ose 130 ushtarësh

Ish-koloneli i ushtrisë amerikane Gian Gentile tha se grupi i armatosur në sulmin në Banjskë më 24 shtator ishte i pajisur si një këmbësorie ushtarake prej 120 apo 130 ushtarësh dhe se kishte potencial të shkaktonte dëme të mëdha në infrastrukturën civile në Banjskë dhe në forcat policore.

Pas analizimit të fotografive dhe listës së armëve të konfiskuara nga Policia e Kosovës – pas një sulmi në të cilin u vra një polic në pjesën veriore të vendit – ndihmësdrejtori i Departamentit të Kërkimeve Ushtarake të Korporatës Amerikane RAND, Gentile, thotë se ai ishte të habitur nga prania e disa llojeve të armëve, transmeton Ballkani.info.

“Ishin foto të mortajave 60 mm. Kjo është një armë ushtarake dhe është efektive kundër këmbësorisë së armatosur lehtë në anën tjetër. Por ato nuk do të ishin efektive nëse dëshironi të ndaloni një tank, për shembull”, tha Gentile.

Sulmi në Banjskë ndodhi natën mes 23 dhe 24 shtatorit, kur grupe të armatosura terroriste nga Serbia sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një polic.

Në përleshjet që pasuan u vranë edhe tre terroristë.

Gentile beson se armët e konfiskuara nuk do të ishin shumë efektive kundër objekteve të fortifikuara, si bunkerët, por thotë se në një sulm ndaj një grupi policie, këto armë do të ishin shumë efektive.

“Nëse qëllimi juaj i vetëm ishte mbijetesa, do të ishte më mirë të qëndronit në anën e sulmuesit me këto lloj armësh. Llojet e armëve në fotot që më dërguat [të treguara nga Policia e Kosovës] do të shkatërronin policët e armatosur lehtë vetëm me pistoleta dhe ndoshta me pushkë”, thotë Gentile.

Ai shton se forcat policore as në SHBA nuk kanë pajisje të tilla ushtarake dhe se armë të tilla mund të dëmtojnë rëndë infrastrukturën civile, siç janë shtëpitë përreth manastirit të Banjskës, ku ishin strehuar sulmuesit.

“Më ra në mendje… se këto janë llojet e armëve, pajisjeve dhe sistemeve me të cilat do të pajisej një kompani këmbësorie, jo policia”, thotë Gentile, i cili shërbeu për disa vite si profesor në Akademinë e Ushtrisë Amerikane në Ëest Point.

Një sasi e madhe armësh, dy automjete të blinduara, më shumë se 20 automjete malore dhe dy motoçikleta, po ashtu për terren malor, janë konfiskuar në manastirin e Banjskës dhe objektet përreth, përfshirë edhe shtëpitë e banimit, njoftoi Policia e Kosovës.

Përveç dy motoçikletave, për të cilat ai thotë se nuk kanë asnjë vlerë ushtarake, sepse shoferi i tyre do të ekspozohej ndaj sulmit, Gentile thotë se armët e sekuestruara janë të një lloji ende në përdorim në mbarë botën.

“Ushtarët ukrainas dhe rusë përdorin patjetër mortaja të kalibrit të vogël, mortaja 80 milimetrash dhe raketahedhëse automatike. Pastaj [përdoren] mitralozë. Pra, po, do të thosha se këto sisteme padyshim përdoren edhe sot nga ushtria”, thotë Gentile.

Përdorimi i disa prej pajisjeve të sekuestruara, thotë Gentile, nuk do të kërkonte as trajnim të gjerë. Një njohuri bazë për përdorimin e armëve do të ishte e mjaftueshme. Por, sipas tij, gjërat do të ishin të komplikuara nëse do të duhej të pastroheshin dhe të ripërdoreshin.

“Pastaj, kur flasim për eksplozivët C4. Dikush duhet të dijë si të vendosë një tel shpërthyes brenda, si ta instalojë pa shpërthyer”, thotë Gentile. /Ballkani.info/