Ish-këshilltari i Kurtit për skandalin e ministrit Aliu: Ky është një test për kryeministrin

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë të ditur sot se kjo ministri ka nënshkruar marrëveshje me kolegjin privat “UBT”.

Marrëveshja e nënshkruar mes ministrisë që udhëhiqet nga ministri Aliu dhe një kolegji privat, ka nxitur mjaft shumë reagime në opinionin publik.

Përmes një postimi në Facebook, ministrit Aliu i ka reaguar edhe ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Shkëlzen Gashi.

“Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, paska nënshkruar sot një marrëveshje me kolegjin privat UBT. Pra, jo me UP-në, ashtu siç ka proklamuar LVV për pothuajse një dekadë, por me një kolegj privat, nga i cili, për më keq, ministri Aliu edhe merr pagë”, ka shkruar Gashi.

Ai ka thënë se kjo është shkelje e premtimeve të LVV-së për mbështetje të institucioneve publike të arsimit të lartë dhe konflikt i pastër i interesit, ndërsa ka deklaruar se ky është edhe një “test për kryeministrin Albin Kurti”.

Ndryshe, në postimin e tij në Facebook, ministri Liburn Aliu sot ka deklaruar se marrëveshja me kolegjin “UBT” përcakton kornizat e bashkëpunimit institucional në fushat e interesit të përbashkët, në pajtim me kompetencat ligjore, për hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve, studimeve të përbashkëta etj.