Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka njoftuar se Rifat Latifi do të jetë Ministër i ri i Shëndetësisë, shkruan Reporteri.net.
“Posa kam nënshkruar vendimin për ministrin e ri të shëndetësisë. Rifat Latifi, ai erdhi pardje nga New Yorku në Prishtinë”, njoftoi Kurti.
Latifi jeton dhe vepron në SHBA. Ai ka qenë kirurg në Qendrën Mjekësore, Westchester, New York.
Ai ka thënë se do të angazhohet me gjithë qenia për ngritjen e kapaciteteve në mjekësi.
“Faleminderit për nderin e madh që më keni bërë me këtë detyrë të jashtëzakonshme. Do të angazhohem me gjithë qenien për t’i ngritur standardet shëndetësore. Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore, ne do të investojmë në rritjen e kualitetit të shërbimeve. Shërbimet do të krijojnë të ardhura, me të ardhurat e shërbimeve ne investojmë sërish në kualitet”, tha ministri i ri, Latifi.
Ndryshe, Latifi më 2009 ishte emëruar këshilltar për shëndetësi i kryeministrit të asaj kohe, Hashim Thaçi.







