fehmi mehmeti

Ish-guvernatori i BQK-së për raportin vjetor: S’do ishte i tillë pa menaxhimin tim në tremujorin e parë

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti ka reaguar pas publikimit të Raportit Vjetor të këtij institucioni duke ia atribuar edhe vetes meritat për rezultatet e këtij raporti.

Në një postim në Facebook, Mehmeti ka thënë se raporti nuk do kishte rezultate të tilla pa menaxhimin e tij si guvernator i BQK-së deri në mars të 2023.

“Raporti i BQK-së i 2023 nuk do të ishte i tillë pa harruar menaxhinin tim deri në mars të 2023. Rezultatet e BQK-së të vitit 2023 falë menaxhimit të sukseshmëm të viteve të kaluara Raporti vjetor i BQK-së për vitin 2023, flet për sistemin financiar në vend, rolin që BQK ka në ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar dhe nuk do të ishte i tillë pa harruar menaxhimin tim si guvernator i BQK-së deri në 29 mars 2023”, ka shkruar Mehmeti në Facebook.

Sipas Mehmetit, rezultatet e BQK-së janë arritur falë menaxhimit të sukseshëm të viteve të kaluara duke përfshirë edhe tre muajt e parë të vitit 2023 duke thënë se menaxhmenti i tanishëm nuk i ka përmendur këto rezultate “për arsye të tyre”.

Ai thotë se raporti flet për qëndrueshmërinë afatgjate financiare të BQK-së duke shtuar se është e rëndësishme që këto suksese dhe arritje që i ka lënë të shërbejnë edhe për të ardhmen.

“Rezultatet e kaluara nuk do të ishin aq mbresëlënëse pa shikuar rolin që ka pasur dhe luajtur BQK në menaxhimin e COVID-19, luftën në Ukrainë, si dhe efektin që kanë pasur dy këto probleme në sistemin financiar, në gjithë botën dhe në Kosovë. Raporti flet për qëndrueshmërinë afatgjatë financiare të BQK-së dhe për realizimin me sukses të objektivave dhe detyrave të ngarkuara në bazë të ligjit, por nuk duhet harruar edhe bashkëpunimin e ndërtuar ndër vite me akterë ndërkombëtarë si FMN, Banka Botërore, BE, SHBA, etj. Është e rëndësishme që sukseset dhe arritjet që i kam lënë në BQK të jenë një ndihmë për sistemin financiar dhe bankar në vend edhe për të ardhmen. e që për fat të keq menaxhmenti i tanishëm nuk dëshiron t’i përmend e arsyet i dijnë vetëm ata”, ka vijuar Mehmeti.

Tutje, Mehmeti ka theksuar se ky stabilitet financiar ndikon edhe në tërheqjen e investimeve të huaja.

“Përveçse mbajtja e qëndrueshmërisë financiare dhe bankare në Kosovë siguron stabilitet ekonomik dhe financiar të vendit, ajo gjithashtu ndihmon në tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e sektorëve të ndryshëm ekonomikë të vendit”, ka potencuar Mehmeti.

E gjithë kjo sipas tij arrihet duke mos harruar të kaluarën dhe stabilitetin financiar në Kosovë.

“Një sistem financiar funksional dhe i sigurt lejon qytetarët dhe bizneset të kenë qasje të lehtë dhe të besueshme në shërbime financiare, duke kontribuar kështu në rritjen e mirëqenies dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në të gjithë vendin dhe kjo arrihet duke mos harruar të kaluarën dhe stabilitetin financiar në Kosovë”.

Ndryshe, dje, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili ia ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Raportin Vjetor të BQK-së për vitin 2023.

Guvernatori Ismaili e njoftoi kryetarin Konjufca me përmbajtjen e Raportit që pasqyron punët dhe operacionet e BQK-së, performancën dhe stabilitetin e sektorit financiar dhe ekonomisë së vendit.

Raporti përmban pasqyrat financiare të audituara dhe të miratuara nga Bordi i BQK-së.