Ish-gjyqtari i EULEX-it: BE po i ndjek penalisht ish-komandantët e UÇK-së, por jo atë serbë që kryen krime në Kosovë

Ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons është treguar shumë i ashpër edhe njëherë me Bashkimin Evropian, teksa ka përmendur edhe Dhomat e Specializuara të Hagës.

Simmons përmes një postimi në Twitter, ka thënë se Kosova duhet ta ketë kusht në dialog që të ndiqen penalisht komandantët serbë që kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Sipas tij, BE po i ndjek në këtë formë vetëm ish-komandantët e UÇK-së.

“BE po ndjek penalisht ish komandantët e UÇK-së, por jo ata të etnisë serbe që kanë kryer krime lufte në Kosovë? Pse? Ndjekja penale e atyre me përkatësi etnike serbe DUHET të jetë kusht i dialogut Serbi-Kosovë”, ka thënë ai.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se së bashku me ekipin e tij është në përgatitje të padisë ndaj Serbisë për gjenocid për luftën e fundit në Kosovë.

“Ne me ministren e Drejtësisë, ekipin e saj dhe me këshilltarët e mi, kemi filluar punën për përgatitjen e padisë për gjenocidin e Serbisë në Kosovë për periudhën e luftës së fundit dhe për këtë rast, do t’ju njoftojmë kur do t’i kemi të qarta afatet e këtyre përgatitjeve e që janë një përgatitje gjigante, sepse një rast i tillë, as nuk guxon, as nuk mundet, as nuk duhet të humbet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha ai më 7 maj në një konferencë për media.

Krimet e Serbisë në Kosovë, Kurti i quan krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, andaj ai thotë se e meriton dhe duhet të paditet shteti serb.

“Përgatitjet duhet të jenë tejet të mëdha në shumë aspekte, e që përveç tjerash, lidhen edhe me institutin për kryerjen e krimeve gjatë luftës. Themi kështu, sepse nuk janë vetëm krime të luftës, janë edhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftë dhe kjo e meriton një pati, andaj përgatitjen e saj qeveria e Republikës së Kosovës e ka obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që i kanë plagët e hapura dhe që besa edhe ndaj ardhmërisë tonë që e kërkon një shtet demokratik e të drejtë”, theksoi Kurti.