Kadri Kastrati

Ish-gjenerali Kastrati: Sulmi terrorist në veri u organizua nga Vulini – në Moskë i mori direktivat

Ish-gjenerali i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka thënë për Albanian Post se sulmi në fshatin Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë një polic ka qenë i planifikuar nga Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, i cili është futur në listën e sanksioneve amerikane.

“Ky është sulm terrorist mirë i organizuar nga Serbia dhe presidenti Vuçiç dhe njeriu kryesor që merret me Kosovën është Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin. Ai para një kohe jo shumë të gjatë ka qenë në Moskë dhe ka marr direktiva se si duhet të veprojë për ta zhvendosur konfliktin në Ballkanin Perëndimor”, tha Kastrati.

Ndërsa sipas tij, personat e maskuar dhe të pajisur ushtarakisht me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme janë trajnuar në Rashkë afër vendkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë.

“Këto janë persona të një grupi të Serbisë dhe Kosovës që kanë qenë të trajnuar nga Rashkë të Serbisë, prej njësiteve speciale serbe. Kanë qenë të përgatitur për një akt të tillë dhe janë futur në Kosovë nëpërmjet rrugëve të improvizuara”.

Për Kastratin, kishat serbe “kanë qenë çerdhe e terroristëve vazhdimisht”.

“Ne e kemi parë edhe para ca ditë që janë dërguar armë atje përmes ambulancave. Duhet t’i shkohet deri në fund kësaj pune, të pastrohet ai terren njëherë e përgjithmonë dhe të shtrihet ligji në atë pjesë të Kosovës”, potencoi ai.