Ish-futbollisti i Liverpoolit në ‘Fadil Vokrri’, tregon për vështirësitë në karrierë para ndeshjes Feronikeli – TNS

Skuadra e The New Saints ka arritur gjatë ditës së sotme në Kosovë, ku do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit në kuadër të rrethit të parë eliminator të Ligës së Kampionëve kundër Feronikelit.

Në pasditën e sotme, djelmoshat e Scott Ruscoe zbritën në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, ku edhe zhvilluan seancën e fundit stërvitore para ndeshjes.

Ndeshja e parë në Uells përfundoi me rezultat 2:2, ndërkq me këtë rezultat Feronikeli i Zekirija Ramadanit është në avantazh të plotë, gjë për të cilën janë të vetëdijshëm edhe futbollistët e TNS.

Para ndeshjes ka folur edhe futbollisti i talentuar i TNS, Lewis Kane, i cili është i ardhur te skuadra uellsiane nga akademia e kampionit të Evropës, Liverpool.

Kane është shprehur në mes të tjerash i lumtur që është përfshirë në këto eliminatore nga trajneri Scott Ruscoe.

Jam shumë i lumtur që jam i ftuar në eliminatoret e Ligës së Kampionëve. Liga e Kampionëve na mundëson që të udhëtojmë nëpër Evropë. Jam i lumtur që jam këtu”, tha fillimisht Kane.

Tutje, Kane tregoi edhe për periudhën e vështirë nëpër të cilën kaloi vitin e kaluar, ndërsa është optimist për këtë edicion.

“Kam qenë i lënduar, tani po provoj të përshtatem me skuadrën. E pata një edicion të mirë vitin e kaluar, kështu që tani duhet të punoj shumë që të kthehem në skuadër”, potencoi Lewis Kane.

Ndryshe, Kane ka qenë pjesë e Liverpoolit prej vitit 2014 deri në vitin 2017, ku ka përfaqësuar grupmoshat U-18.

Në verën e kaluar, ai iu bashkua The New Saints me parametra zero, skuadër me të cilën nesër do ta sfidojë kampionin e Kosovës në futboll, Feronikelin.

loading…