Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, duke folur për aksionin policor në veri të vendit në vitin 2011, në të cilin ishte vrarë polici Enver Zymberi, tha se aksionin e ka udhëhequr kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.

Në një intervistë në Kallxo Përnime, Maliqi tha se sipas akteve të brendshme operacione të ndjeshme dhe të mëdha, është paraparë që të udhëhiqen nga drejtori i Policisë.

“Mua më është thënë që kryeministri e ka udhëhequr atë operacion, kryeministri ka vendosur ashtu, as ministri. Do të thotë që ka përjashtim të atyre akteve dhe unë as nuk e kam autorizuar dhe as nuk kam pasur njohuri. Për mua më e rënda është që Enver Zymberi është vrarë në ditën e dytë, nuk është vrarë natën e parë me të 25-tin, por është vrarë me 26-tin. Që do të thotë tash është dashtë ndërmerret diçka më shumë, nëse kanë hasur në rezistencë me 25-tin, që e kanë parë që atje nuk i kanë pritur me duartrokitje që me kalu njësitë tona, por ka pasur edhe shkëmbim të zjarrit edhe të shtëna të panumërta të popullatës serbe, atëherë është dashtë ose të ndryshohet taktika ose të ndryshohet koha, ose rruga ose të ndryshohet diçka” – ka deklaruar Maliqi. /kallxo/