Sipas hulumtimit të Kantar TNS, Indeks Kosova, pëlqyeshmëria e qytetarëve ndaj liderëve politikë, nga viti 2003 deri në vitin 2018 ka shkuar duke rënë, edhe pse popullariteti i liderëve politikë ndër vite ka pasur oshilacione.
Të dhënat e këtij hulumtimi për muajin qershor të vitit 2018, si liderin më të pëlqyer nga opinioni publik e nxjerrin Shpend Ahmetin me 64 për qind.
Mirëpo, udhëheqës i këtij hulumtimi është Visar Berisha, i cili është mik i Shpend Ahmetit dhe ish-drejtor i Ahmetit në fillim të qeverisjes së Komunës së Prishtinës.
Visar Berisha, si ushtrues i detyrës së Drejtorit të Financave dhe Pronës në Komunën e Prishtinës, kishte dhënë dorëheqje më 8 shtator të vitit 2015, shkruan Ballkani.info.

Edhe hulumtimet e mëhershme të Visar Berishës ishin kritikuar për qasje të njënashme dhe politike.
Berisha dhe Ahmeti kanë qenë edhe ortakë biznesorë para se Kryetari i Prishtinës t’i hynte politikës, fillimisht si kryetar i FER-it.
Ata të dy ishin bashkë në biznesin tashmë të shuar kafe bar “Filikaqa”.
Ky sondazh që po transmetohet live edhe në Facebook të Dukagjini TV, po kritikohet ashpër edhe nga ndjekësit, të cilët thonë se PSD-ja, partia që e drejton Shpend Ahmeti, në sondazhe nuk ka dalë më shumë se 2.5 për qind.
Renditja tjetër sipas sondazhit:
Lideri i dytë radhitet Albin Kurti me 61 për qind , për të vazhduar më pas Behgjet Pacolli si i treti.
I katërti në listë është Isa Mustafa, e pas tij kryeministri Ramush Haradinaj.
Në vendin e gjashtë është pozicionuar Fatmir Limaj.
I parafundit në listën e dalë nga hulumtimi i Kantar TNS është presidenti Hashim Thaçi.
Kryeparlamentari, njëherësh kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, radhitet i fundit në këtë listë. /Ballkani.info/








