Ish deputetja e VV-së për marrëveshjen me NATO-n: Mandej mundet me ardh era, ama jo era Shtet

Ish deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, ka reaguar pas qëndrimit të kryeministrit Albin Kurti se marrëveshja me NATO-në është e dëmshme dhe se nuk është në interes të qytetarëve.

Ajo ka thënë që me këtë veprim të Kurtit pastaj Kosovë nuk mund t’i vjen era shtet.

“Nuk ka marreveshje te demshme me NATO-n. Mos boni hajgare se mandej mundet me ardh era, ama jo era Shtet!”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

Kryeministri Albin Kurti tha sot  se vazhdon që ta konsiderojë këtë marrëveshje të dëmshme për interesin e qytetarëve.

“Marrëveshja në fjalë që ka qenë një shkëmbim i letrave që ju e përmendet ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për interesat e qytetarëve të Kosovës. Unë vazhdoj t’i qëndroj pas asaj që kam thënë në vitin 2020. Unë nuk kam akuzuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së për shkëmbim të letrave dhe nuk mund të kërkojë llogari prej tij. E kam akuzuar titullarin e mëhershëm të institucioneve të Republikës së Kosovës që kam dhënë firmën në një shkresë  të tillë.  Një problem që i ka rrënjët 8 vite më parë nuk mund të adresohet e rregullohet me një takim të vetë. Atëherë çështjen e kam referuar në prokurori dhe i mbetet prokurorisë. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe NATO-së do të vazhdojnë që të thellohen”, tha Kurti

“Unë u përgjigja që kjo është një marrëveshje e dëmshme që e kemi trashëguar si shumë fakte të mëhershme. Nuk mund ta rregullojë një të keqe të madhe me një takim të vetëm të parë. Më 19 prill 2013 ka nënshkruar ish-kryeministri i Kosovës me ish—kryeministrin e Serbisë në 15 pika, gjashtë prej të cilave i referohen Zajednicës. Aty janë rrënjët e së keqes. Aty kanë qenë dy marrëveshje. Një që është bërë me BE-në dhe një me NATO-n e që nuk është sjellë kurrë në Kuvendin e Kosovës as për ratifikim”, ka thënë Kurti.