Ish-deputeti Veton Berisha dhe përfaqësuesi i komunitetit egjiptian, po thotë se në një libër shkollor në Kosovë ka përmbajtje raciste dhe ofenduese.

Sipas tij, shteti i Kosovës në bashkëpunim me heshtjen e përfaqësuesve të komuniteteve po i mëson të gjithë fëmijët në Kosovë se si duhet trajtuar komunitetet në Kosovë, duke përdorur terme fyese.

Reagimi lidhet rreth librit “Shoqëria dhe mjedisi” e klasës 4 e botuar nga shtëpia botuese ‘Albas’. Kjo shtëpi sipas tij, u referohet tri komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, rom, ashkali dhe egjiptian, si komunitet RAE.

Ai theksoi se dihet shumë qartë se komuniteti egjiptian është komunitet i veçantë i cili jeton tradicionalisht në Kosovë.

“Ka identitet të tij dhe është kategori kushtetuese dhe ligjore në Kosovë”.

Prandaj, Berisha ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që deri në korrigjimin e tij, ta largojë atë libër nga përdorimi prej të gjitha shkollave.